E Diel, 1 Nëntor 2026

Basha firmos marrveshjen, gati ndërtimi i parkimit nëntokësor

Kryebashkiaku Basha gjatë firmosjes së marrëveshjes

I pari parkim nëntokësor për Tiranën do të nisë të ndërtohet brenda një kohe të shkurtër. Marrëveshja koncesionare e nënshkruar dje mes kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha dhe përfaqësuesit të subjektit Gener 2, Bashkim Ulaj, i ka hapur rrugë fillimit të procedimit të mëtejshëm, për ndërtimin e këtij parkimi nëntokësor. Parkimi nëntokësor zë një sipërfaqe prej afro 9 mijë metra katrorë të sheshit Italia. Ajo do të shtrihet në katër nivele nëntokësore dhe do të ketë hapësirë parkimi për 1000 automjete. Vlera e investimit është rreth 1.6 miliardë lekë dhe realizimi i saj do të bëhet brenda një viti, nga dita e nisjes së punimeve. Kjo vepër, e cila do të fillojë të ndërtohet së shpejti, është pa dyshim një front shumë i mirëpritur pune në kryeqytet, i cili do të hapë me qindra vende pune, me mijëra do të thosha, po të kemi parasysh zinxhirin që tërheq industria e ndërtimit, anembanë degëve të ndryshme të furnizimit, mirëmbajtjes e shumë e shumë aspekteve të tjera, pra është një investim me vlerë prej 1.6 miliardë lekësh, afro 12 apo 13 milionë euro në vetvete, por pa dyshim një investim që do të tërheqë pas vetes shumë e shumë milionë euro të tjerë dhe do të hapë me mijëra vende pune për qytetin gjatë ndërtimit dhe, natyrisht, pas ndërtimit do të jetë një front pune i ri në kryeqytet, tha Basha. Ai garantoi se ky projekt do të pasohet së shpejti nga projekte të tjera për ndërtimin e parkingjeve anembanë Tiranës. Shpreh vendosmërinë tonë për të ecur përpara me këtë politikë koncesionare dhe në këtë javë të dytë të marsit, të përdor metaforën e shumëpërdorur që kjo le të jetë dallëndyshja e parë e kontratave të tilla koncesionare dhe e ndërtimeve të parkimeve anembanë qytetit tonë, aspekt shumë i rëndësishëm, për një Tiranë moderne europiane, për një Tiranë të shekullit XXI, theksoi Basha.

Firma zbatuese
Përfaqësuesi i firmës zbatuese, Bashkim Ulaj, shprehu vendosmërinë për realizimin e shpejtë të këtij projekti. Besoj se është një ndër projektet e rëndësishme që ka të bëjë me zhvillimin urban të qytetit. Jam i kënaqur që jam sot për të firmosur këtë kontratë, realizimi i së cilës do të jetë shumë i shpejtë dhe brenda të gjitha parametrave e standardeve që koha sot kërkon, tha Ulaj.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›