E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bulevardi, ku ndryshojnë dy projektet

Maketi i studios Grimshaw Architects dhe Maketi i studios DAR Group Turkey & United Kingdom

Ekspozimi i maketeve te Muzeu Kombëtar, interes nga qytetarët. Për dy ditë, 2000 formularë me vota.

Arkitektët shpjegojnë projektet ku janë parqet dhe hapësirat publike.

Interesi i qytetarëve ka qenë më i madh nga sa pritej. Dje paradite, qindra qytetarë u ndalën në ambientet e Muzeut Kombëtar të kurjozuar nga maketet e projekteve për bulevardin e ri dhe rehabilitimin e lumit të Tiranës. Në një pavijon të veçantë janë ekspozuar të 7 projektet e studiove që morën pjesë në konkurs. Por, ndërsa kalimthi u hidhej një vështrim 5 të skualifikuarve, rreth maketeve të dy projekteve fituese duhet të prisje deri sa të hapej një vend për të parë se çfarë përmbanin. Qytetarë që pyesnin, që bënin foto, studentë, pensionistë e dhjetëra të huaj. Në korridor punonjësit e Bashkisë shpërndanin formularë. Me anë të tyre gjithsekush mund të japë votën e tij për maketin më të mirë deri më 24 mars. Brenda dy ditëve janë plotësuar më shumë se 2000 formularë. Interesi ka qenë vërtet i madh. Madje, më shumë nga sa e prisnim, thanë punonjësit e Bashkisë. Për të kuptuar maketet duhet ti studioje të paktën nja 20 minuta të mira. Secili prej tyre është i shoqëruar me postera të ngjitura në mur, ku shpjegohen pikat kryesore të projektit. Ndonëse kanë ngjashmëri, që nga mënyra si janë prezantuar nis ndryshimi.
Bulevardi i ri
Dy studiot kanë koncepte krejtësisht të ndryshme për zgjatimin e bulevardit të Tiranës. Në projektin e DAR Group Turkey & United Kingdom bulevardi ka një pamje unike me një park brenda tij. Është linear dhe ka një vijë shikimi me prespektivë të gjatë. Por, nga sa sqarojnë ekspertët e arkitekturës, kjo formë e të konceptuarit mbart me vete rrezikun për të qenë monoton. Për këtë arsye në të dy krahët e bulevardit janë parashikuar ndërtime kryesisht të ulëta. Bulevardi ka një shtrirje nga Stacioni i Trenit deri te Bregu i Lumit në një rreze 1.7 km. Hyrja është parashikuar të bëjë një kalim nga bulevardi i vjetër te i riu. Në qendër të kësaj nyje është parashikuar të ndërtohet një kullë e lartë rreth 18 kate. Pastaj shtrihen qendrat tregtare, kampusi universitar dhe ndërtesa të tjera banimi e polifunksionale. Nga sa na sqaruan disa prej arkitektëve më të njohur që takuam dje te Muzeu Kombëtar, në këtë projekt bulevardi merr karakter klasik dhe monumental. Studioja e dytë, Grimshaw Architects, e ka konceptuar bulevardin sipas një tematike të caktuar. Bulevardi në projektin e saj nuk është linear, por është i ndarë në tri hapësira urbane në formën e xhepave ose siç quhen në maket Dhoma ndenje urbane. Hapësira e parë që nis nga Stacioni i Trenit, parashikon ndërtimin e një parku me një shesh dhe kafene përreth, që merr trajtat e një sheshi intim, por nga ana tjetër, jo me perimetër të ngushtë vizual. Në këtë hapësirë janë parashikuar edhe ndërtimi i disa godinave me funksion publik. Brezi i dytë parashikon në të dy xhepat rreth bulevardit qendra tregtare. Në hapësirën e tretë, që në njërën anë ka një park me gjelbërim, ndërsa ana tjetër ka ndërtesa me funksion publik, ku bëjnë pjesë që nga biblioteka, Bashkia e re, Opera. Në fund është parashikuar të ngrihet një kullë e lartë. Të dyja studiot e kanë konceptuar bulevardin si një urë lidhëse mes parkut të Liqenit Artificial dhe parkut të ri që do të ngrihet në Paskuqan.
Investimet në ndërtim
Bulevardi sipas konceptit të të dyja studiove parashikon ndërtime, çka e bën mjaft atraktiv për investitorët vendës e të huaj. Studio DAR i ka të shtrira këto ndërtime në të dy anët e bulevardit. Do të ketë ndërtesa për banim apo polifunksionale të cilat do të jenë mikse, të ulëta e të larta. Brezi i parë do të ketë qendra biznesi, brezi i dytë përfshin hapësira banimi. Ndërsa projekti i Grimshaw Architects këto ndërtime i ka të ndara sipas 3 tematikave të tri hapësirave të dhomave urbane të planifikuara. Nga pikëpamja e investimeve, studioja e parë i ndan më qartë, sipas arkitektëve, në të dyja anët në mënyrë lineare. Ndërkohë, në të dyja projektet lagjet e banimit kanë kontakt me rrugën dhe me linjat e transportit publik. Të gjitha ndërtimet nga Stacioni i Trenit deri tek Bregu i Lumit do të jenë të reja.
Lumi i Tiranës
Ndërsa dy projektet kanë koncepte të ndryshme për bulevardin, projektet e prezantuara janë të ngjashme sa i përket rehabilitimit të lumit të Tiranës, që shtrihet ngas dalja e Babrrusë deri te vaskat e Instituti Bujqësor. Lumi sistemohet nga të dyja studiot, duke krijuar një brez parku dhe duke u bërë atraktiv për qytetin. I kushtohet rëndësi në cdo element florës e faunës së tij, shndërrimin e tij në një lum më të ri e të pastër . Rrugët largohen nga lumi dhe janë parashikuar të ngrihen 1-2 qendra nga secila pjesë e tij. Këto do të jenë hapësira investimesh për komunitetin. Unaza integrohet ndryshe dhe jo siç shtrihet aktualisht përgjatë lumit të Lanës. Ndryshe nga më parë, lumi merr karakter peizazhi. Të dyja projektet e kanë të konceptuar lumin si komponent mjaft të rëndësishëm që bën lidhjen mes bulevardit dhe parkut të Paskuqanit në njërën anë dhe në anën tjetër shtrihet deri tek Liqeni Artificial. Edhe përgjatë lumit janë parashikuar të ndërtohen blloqe banimi. Njëra zonë është tek Josif Pashko, ndërsa në fillim të urës së Babrrusë janë parashikuar gjithashtu ndërtime.

Sipërfaqja e bulevardit
Bulevardi i ri do të ketë një gjatësi 1.7 km, ndërsa është parashikuar edhe zhvillimi i sipërfaqes përreth tij në plot 132.8 hektarë. Shtatë studiot e arkitekturës prezantuan edhe një masterplan për rehabilitimin e lumit të Tiranës, me gjatësi 6.7 km, zhvillimin e zonës përreth, si dhe propozime për zhvillimin e zonës deri në Paskuqan. Deri në datën 24 mars, projektet e të dyja studiove finaliste do të jenë të ekspozuara në ambientet e Muzeut Kombëtar dhe pasi të merret mendimi i qytetarëve, do të shpallet studioja fituese, e cila do të nisë menjëherë me zbatimin e projektit.

ZIRINA LLAMBRO

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›