E Diel, 1 Nëntor 2026

Basha flet si lideri i ri i PD: Mbështetem në vlerat e Berishës

bashaNë fjalimin e parë si kryetar i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka shprehur mirënjohje për gjithë mbështetësit e tij si dhe për besimin e dhënë me votë. Ai e cilësoi Partinë Demokratike, si partinë e vlerave dhe idealeve më të larta në Shqipëri. Ai vuri në dukje se do të mbështetej në vlerat e Sali Berishës dhe Azem Hajdarit. Ai ka falënderuar edhe Olldashin për garën në PD
Deklarata
Jam thellësisht i vetëdijshëm se sa përgjegjësi e madhe është të drejtosh një forcë e cila ka lindur nga lëvizja e dhjetorit të vitit 90. Parti e cila është udhëhequr nga Sali Berisha, që ka pasur në fokus të saj ta bëjë një vend demokratik dhe të lirë. Partia Demokratike është parti e vlerave të larta, e cila ka bërë histori. Në këtë garë, të parën të vërtetë të parimit një anëtar një votë në Shqipëri, ne demokratët u treguam shqiptarëve se jemi përfaqësuesit më të denjë të dinjitetit të tyre. Falënderoj Sokol Olldashin, kandidatin tjetër për kontributin e tij, ku në këtë garë u treguan vlerat e pamohueshme të PD. Ishim dy kandidatë që shpalosëm vlerat tona, por ne nuk harrojmë në asnjë çast se jemi të gjithë demokratë, anëtarë të një familje, më të vendosur dhe më të bashkuar se kurrë. PD do të dëgjojë dhe respektojë zërin dhe kontributin e çdo anëtari të saj, deklaroi Basha.
Misioni i PD
Kryetari i ri i PD, ka theksuar se në drejtimin e partisë do të mbështetet te vlerat e lidershipit historik, Sali Berisha, duke punuar pa ndalur që Partia Demokratike të vazhdojë të jetë forca e ëndrrave dhe gjeneratës së re, për ti dhënë krahë fitoreve të ardhshme. Basha theksoi se detyrat që i presin demokratët nuk janë të lehta, sfidat janë të mëdha, por kujtoi se gjatë gjithë rrugës 20 vjeçare, demokratët janë përballur me sukses dhe kanë fituar, duke premtuar se do të ndërtojë një opozitë krijuese, të fortë por edhe alternative, për çdo problem shqiptarët do të shohin zgjidhjet.
Projekti i fillimit të ri
Lulzim Basha në konferencën e tij ka theksuar disa herë se PD ka nevojë për një fillim të ri. Në përpjekjen time për ta drejtuar këtë fillim të ri, unë do të jap gjithçka me përkushtimin më të madh, me vendosmërinë më absolute dhe me përgjegjësinë më të lartë ndaj jush, anëtarëve të Partisë Demokratike. Për këtë do të mbështetem fort tek vizioni, kurajo dhe qëndresa historike e themeluesve, e Azem Hajdarit dhe qëndrestarëve të tjerë, do të mbështetem tek energjia e pamatë e anëtarëve dhe militantëve të paepur, tek përvoja e dhjetëra drejtuesve të Partisë Demokratike, sot dhe ndër vite, do të mbështetem tek pasuria e paçmueshme e vlerave të lidershipit historik të Sali Berishës, tha ai. Kreu i ri i opozitës e mbylli fjalën e tij duke thënë, Zoti na ndihmoftë, zoti e bekoftë Shqipërinë dhe shqiptarët.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›