E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha bekon Bashën: Një fillim i ri i fuqishëm për PD-në

Berisha bashaKryetari i dorëhequr i PD-së, Sali Berisha, ka uruar pasuesin e tij, Lulzim Basha, për fitoren në zgjedhjet për kreun e Partisë Demokratike. Në një konferencë për shtyp nga selia blu, Berisha nuk i kurseu elozhet për Bashën, duke e vlerësuar atë si një histori suksesi të të riut shqiptar. Sipas tij, nën udhëheqjen e Bashës, Partia Demokratike do të ketë një fillim të ri të fuqishëm. Z. Lulzim Basha përfaqëson suksesin e të riut shqiptar, i cili në një moshë shumë të re, gjimnazist, do të meritonte të përfaqësonte në KQZ partinë e tij, PD-në, në zgjedhjet e para pluraliste të vendit. Më pas, si qindra të rinj shqiptarë që dolën në liri, studioi në një nga universitetet më të njohura të Evropës, theksoi Berisha. Duke i bërë edhe një përmbledhje jetës politike gjatë këtyre viteve të Bashës, tashmë ish-kreu i PD-së nënvizoi se Lulzim Basha është historia e vërtetë e suksesit të vërtetë të shkëlqyer të PD-së. Ai përmbushi me një vendosmëri, aftësi dhe përkushtim të madh çdo mision që iu ngarkua. Së pari, Rrugën e Kombit, u emërua ministër për atë mision dhe e realizoi në mënyrë të shkëlqyer. U emërua në krye të diplomacisë shqiptare kur vendi po bënte çdo përpjekje për anëtarësim në NATO, fitoi simpatinë, respektin dhe dashurinë e kolegëve të tij dhe u shndërrua në një promotor të vërtetë të këtij procesi. U emërua në krye të Ministrisë së Brendshme për të përmbushur një premtim elektoral konkret të heqjes së vizave me BE-në. Është ministri dhe personaliteti që së bashku me shumë të rinj shqiptarë mbërritën në Bruksel si maratonomak i heqjes së vizave për shqiptarët. U caktua nga PD-ja për të garuar për Bashkinë e Tiranës, mundi kryetarin e PS-së dhe sot drejton Bashkinë e Tiranës. Më tej në fjalën e tij, Berisha vlerësoi edhe procesin e votimit për kreun e ri të PD-së, të cilin e cilësoi si një provë që demokratët e kaluan në mënyrë të shkëlqyer. Partia Demokratike është parti e vlerave, parimeve më të shkëlqyera, më të larta dhe kjo jo se ka pasur shkop magjik, por se ka pasur një program me vlera e parime,  theksoi ai. Berisha nuk harroi të vlerësojë edhe kandidatin tjetër në garë, Sokol Olldashi: Roli i Olldashit është shumë i madh. Ai është deputet i PD-së dhe çdo deputet i PD-së ka një rol shumë të madh në Parlamentin shqiptar. Beteja e fillimit të ri kërkon një mbështetje të fuqishme, një opozitë më të fuqishme në Parlament. I pyetur se a do jetë kryetari real Basha, nën hijen e Berishës, ky i fundit tha se të gjithë ata që e njohin e dinë se ai merret 18 orë në ditë me veten. Do zhvilloj një betejë të gjithanshme dhe të fuqishme kundër këtij pushteti që doli nga mashtrimi, tha Berisha. Dhe ju do jeni dëshmitarë ndaj këtij pushteti që bllokon numërimin e votave, theksoi Berisha.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›