E Shtunë, 31 Tetor 2026

Saimir Tahiri martohet me bekimin e Ramës

 

Klotilda Harka

21 dhjetori mund të tingëllojë disi i ftohtë për një ceremoni martese, por për Saimir Tahirin dhe Fatlinda Berishën ka qenë në moment i mirë, ndërsa atmosfera festive e Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri, ndihet gjithnjë e ngrohtë. Dhe nuk kanë bërë një martesë shpejt e shpejt, por festë të vërtetë me të gjitha ceremonitë, duke filluar që të premten me miqtë politikanë tek "Austria", e për të përfunduar me një darkë madhështore tek "Xibraku". Momenti më i veçantë ishte zyrtarizmi i martesës së tyre me celebrimin në Bashkinë e Tiranës, dje në orën 16:00. Një "Benz" jeshil antik gjerman i vitit 1966, ka ndaluar përpara Bashkisë së Tiranës, nga ku ka zbritur çifti, Saimiri 30 vjeç dhe Fatlinda 27 vjeçe. Drejtori ekzekutiv i Fondacionit "Qemal Stafa", së fundi dhe drejtuesi i Rrjetit të Vullnetarëve Socialistëve dhe një nga njerëzit e afërt të kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama, është pritur pikërisht nga ky i fundit për të celebruar martesën, si kryebashkiak. Tahiri, iu përgjigj me shumë sportivitet betimit për dashuri të përjetshme, ndërsa fotografët e disa mediave kanë fotografuar momentin e shkëmbimit të unazave dhe puthjes së çiftit, ku dëshmitarë kanë qenë familjarë e miq të tyre. Nusja kishte veshur një fustan të shkurtër ngjyrë pana, ndërsa dhëndri kostum të errët të "Geraldina Spoza", një prej dyqaneve më të njohur në Tiranë për organizimin e dasmave VIP. Por gjithçka është menduar me shumë kujdes nga vetë Saimiri, shumë i pasionuar pas veshjeve dhe makinave, ndërsa ka zgjedhur për ceremoninë një makinë të tipit të vjetër, (vetëm 2003 të tilla janë në të gjithë botën) dhe që janë një tendencë për çiftet e reja që martohen. Gjatë ceremonisë që zgjati 20 minuta, çifti shkëmbeu unazat 18 karatëshe, flori i bardhë, dhe të dizajnuara me nga katër gurë diamant. Ndërkohë që atmosferën festive e kanë shfrytëzuar për të gëzuar së bashku, pasi nuk kanë plan të bëjnë muaj mjalti. Kanë menduar ta shtyjnë mbase për verën që vjen, ndërsa kanë kaluar shumë pushime bashkë pasi historia e tyre e dashurisë është nga ato më të hershmet, që ka filluar që në vitet e para të gjimnazit. Tani ajo që mbetet është hyrja në apartamentin e tyre të ri, pranë Kopshtit Botanik, për të cilin kanë kontribuar të dy duke e mobiluar sipas shijes së tyre. Kjo ndoshta ka qenë arsyeja që përveç zarfeve me lekë, apo euro, të sjella nga të ftuarit në darkën e së premtes, ku kanë qenë shumë politikanë, gazetarë, artistë e sportistë, shumë prej dhuratave, të shtrenjta kanë qenë piktura apo dhurata artistike për shtëpinë e tyre të re. E në gjithë atmosferën e kësaj dasme, surpriza që Saimiri u ka bërë 230 të ftuarve në darkën e së dielës te "Xibraku", ishin 15 çifte valltarësh me veshje popullore që hapën mbrë-mjen, si dhe orkestra e prania e grupit polifonik, që sollën atmosferën e një dasme të vërtetë nga jugu, dëshira e Saimirit, origjina e të cilit është nga Tepelena. 

Rama rikthehet si celebrues
Prania e Edi Ramës në këtë celebrim ishte vlerësim për Saimir Tahirin, pasi ky është në rastet e pakta në zyrën e re të celebrimeve brenda ambienteve të bashkisë. Ka qenë betimi që ai ka lexuar, që natyrisht u tregonte vlerën e nënshkrimit të kësaj martese, thelbi i së cilës është pranimi i një dashurie dhe dhënies së një drejtimi të ri të jetës së tyre. Të gjithë e mbajnë mend celebrimin e martesës së Igli Tares, apo ndonjë tjetër çifti VIP, pasi kryetari i Bashkisë së Tiranës, ka zgjedhur çifte të tilla spektakolarë për t'i celebruar.

Çifti "party" me të rinjtë vullnetarë
Por të premten pas orës 22:00, Saimiri, i rezervoi një pritje ndryshe stafit të Rrjetit të Vullnetarëve Socialistë, drejtuesi i të cilëve tashmë është ai vetë. I veshur sportiv ai i ka takuar në tavolinat, ku ishin ulur në lokal "Austria", gjatë festës që zgjati deri në orën 03:00 pas mesnate dhe ku të rinjtë kanë kërcyer me muzikë pub-i. Ky ishte takimi i dytë pas datës 19 dhjetor i Saimirit me vullnetarët. 70 të ftuarit kanë shkuar me shumë dhurata për çiftit, por që ata nuk kanë pasur kohë t'i hapin ende.

Shakaja e Fatlindës për mbiemrin Berisha
Në momentin kur u lexuan nenet kryesore të Kodit të Martesës, dhe ku specifikohej zgjedhja e mbiemrit të çiftit, Fatlinda, ka bërë shaka, duke ndërhyrë që më mirë Saimiri të marrë mbiemrin e saj Berisha, mbiemër që vjen vetëm nga origjina e saj prej Gjakovareje. Ndaj mes dëshmitarëve të zgjedhur, që ishin të pranishëm në ceremoninë e celebrimit ishin të pranishëm shumë të afërm nga Maqedonia dhe Kosova, origjina e babait të saj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›