E Shtunë, 31 Tetor 2026

Basha i propozon Këshillit 7 projekte, edhe për Xhaminë

Zëdhënësja e Bashkisë, Anila Bisha, theksoi sot se këto projekte kanë të bëjnë me përpjekjet për të krijuar vende punë, për të ndërtuar një Tiranë moderne evropiane, për të përmirësuar shërbimet e qytetit dhe për të përfshirë zërin e qytetarëve në qeverisje. 

“Në thelbin e tyre, këto projekte synojnë zgjerimin e transportit publik, kursimin e parave të qytetarëve, investim në art dhe kulturë, fuqizimin e Agjencisë për Mbrojtjen e Konsumatorit, pra, angazhimin e Kryetarit të Bashkisë, për të ndërtuar një qytet më të mirë sot dhe për brezat e ardhshëm”, sqaroi ajo.

Më konkretisht, bashkia do të propozojë një linjë të re autobusi nga qendra e Tiranës për në Qytetin Studentit, për lehtësinë e kësaj kategoria. Projekti i dytë ka të bëjë me zyrtarizmin e procesit të hartimit të Planit Urbanistik të qytetit.

“Projekti tjetër ka të bëjë me krijimin e Komisionit për ndërtimin e Xhamisë së re. Ky komision do të përfshijë zërin e qytetarëve, në procesin e ndërtimit të saj dhe përbëhet nga drejtuesit e Komunitetit Musliman, të institucioneve qendrore dhe vendore”, tha zëdhënësja.

Kryetari i Bashkisë do të paraqesë dhe një projekt, për t’u siguruar qytetarëve shërbim më efiçent dhe më të mirë në kopshte e çerdhe, në parqet dhe hapësirat çlodhëse dhe  në qendrat kulturore të Tiranës. Këto ndryshime do t’i kursejnë qytetarëve 1 milionë dollarë në vit dhe kjo është pjesë e angazhimit të Kryebashkiakut, për uljen e barrës fiskale, për llogaridhënie në qeverisje dhe për mbrojtjen e taksave të qytetarëve.

Gjithashtu, nesër do të paraqitet në Këshill, një projekt që ka të bëjë me fuqizimin e Agjencisë për Mbrojtjen e Konsumatorit, nga spekulimet dhe mashtrimet. Një tjetër projekt është ai për rehabilitimin e qendrës së qytetit, pasi qendra është më shumë se sa hapësira fizike që ajo zë, është ndërlidhëse e lagjeve të ndryshme dhe është projektuar për të ndihmuar qytetarët, në jetën e tyre të përditshme.

Projekt tjetër që i propozohet nesër Këshillit, është edhe ai që  ka të bëjë me krijimin e Bordit për Artin dhe Kulturën, që do të ketë si detyrë miratimin e fondeve në këtë fushë, çka do të sjellë përmirësimin e cilësisë së jetës në qytet. /S.Ll/Start/

                                                                                             2011-11-09 14:29
   

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›