Fushata e OSBE, policia rrugore bëhet OJQ
Tiranë – Policia rrugore e Tiranës, të mërkurën, u shfaq në rolin e një OJQ-je. Policët me uniforma e radio në dorë nuk i penalizuan makinat që kishin parkuar dyshe në rrugën Myslim Shyri, duke bllokuar trafikun, por thjeshtë u dhanë atyre nga një fletushkë dhe i këshilluan që të mos parkojnë keq, pasi bllokojnë rrugën.
Policët shpërndanë fletëpalosje, që mbanin logon e OSBE, që do të thotë se kjo është një fushatë e sponsorizuar nga OSBE. Fletëpalosja thotë se të parkosh në vendin ku nuk lejohet, është e ndaluar dhe se të parkosh në vendin e ndalur, gjobitesh.
A thua vallë ne nuk e dimin deri tani se të parkosh në vendin e ndaluar merr gjobë? A thua ne nuk e denim që të pakrosh dyshe në rrugë bllokon qarkullimin?
Padyshim që e dimë të gjithë këtë, por ata që e bllokojnë duhet të ndëshkohen dhe kjo është zgjidhja. Dhe policia është pikërisht për këtë, të ndëshkojë ata që shkelin ligjin, të penalizojë ata që thyejnë rregullat dhe jo të merret me shpërndarje fletushkash.
OSBE duhet të mendojë, në këtë linjë, edhe për edukimin e trafikantëve të drogës. Policia anti-drogë, kur ti ndalojë trafikantët, fillimisht t’i këshillojë që të shesësh drogë është e ndaluar, t’u japë në dorë nga një fletushkë OSBE-je dhe ti lëshojë. E po kështu edhe me vrasësit, grabitësit e bankave etj.
Në një shoqëri punët janë të ndara, disa institucione bëjnë ligjet e disa përgjigjen për t’i zbatuar, dhe policia është një nga ata që duhet t’i zbatojë dhe jo të shpërndaje fletushka. Organizatat e shoqërisë civile janë ato që i këshillojnë qytetarët të mos i shkelin ligjet, policia nuk është edukatore, por zbatuese.
Besoj se të gjithë biem në një mendje se pas shpërndarjes së fletëpalosjeve, asnjë shofer nuk e ka vënë ujin në zjarr të lirojë rrugën, por nëse aty do të vendosin gjoba, të gjithë do të merrnin arratinë nga vendi i gabuar i parkimit.
Por ky nuk është faji u policisë. OSBE ka patur për të hedhur në rrugë, ashtu si miliona Euro të donatorëve të BE-së që përfundojnë në fletushka e lloqe seminaresh, dhe ka zgjedhur këtë mënyrë. Do të qe më mirë që me ato para të bliheshin disa uniforma policie, apo tabela ku të shkruhet Policia dhe jo nga ato që na kanë falur nga Mali i Zi, ku shkruhet Policija, tabela ku shkruhet Policia rrugore dhe jo Policia stradale.
Shkrime të tjera me interes: