Berisha, Berluskonit: Mos ndiej keqardhje për humbjen e Milanit
Kryeministri Berisha shfrytëzoi punimet e samitit të Partive Popullore Evropiane, EPP, që u zhvillua në Bruksel për të takuar disa homologë të tij evropianë që mbajnë dhe detyrat e kryeministrit në vendet e tyre. Sipas zyrës së shtypit, ai ka bashkëbiseduar me kryeministra të vendeve pjesëmarrëse dhe personalitete të tjera dhe për të kërkuar prej tyre shpejtimin e procesit të ratifikimit të Protokollit të NATO-s nga vendet e tyre. “Të gjithë kryeministrat dhe personalitetet e larta të shteteve që unë takova më premtuan, pa përjashtim, se do ta shpejtojnë këtë proces. Të gjitha këto vende kanë një qëndrim shumë dashamirës për ratifikimin e protokollit”, - u shpreh Kryeministri. Gjatë punimeve të samitit, ai u takua edhe me Kryeministrin e Italisë, Silvio Berluskoni, me të cilin u ra dakord që vizita e tij në Tiranë të shpejtohet, por nuk u la pa përmendur dhe humbja e skuadrës së tij dy ditë më parë në Tiranë. “Lidhur me rezultatet e ndeshjes mes ekipit të Tiranës dhe ekipit të Milanit dje në Tiranë, i thashë homologut italian se nuk kishte arsye përse ai të ndiente keqardhje për humbjen e skuadrës së tij, pasi dje ka qenë dita e parë e fushatës sime elektorale”, - theksoi Kryeministri me nota humori.