Basha mashtron policët për orët shtesë të punës
Kemi hyrë në muajin e tretë të vitit 2010 dhe premtimi i ministrit të Brendshëm nuk po realizohet, pasi punonjësit e policisë nuk po përfitojnë asgjë nga orët shtesë në punë. Kjo e rëndon edhe më shumë punën e tyre, për të cilët janë bërë vetëm premtime, janë kërkuar rritje të standardeve, ndërsa për xhepin e tyre nuk mendon asnjë prej tyre. Që prej muajit dhjetor, ministri i Brendshëm, Lulzim Basha, u premtoi se gjatë vitit 2010 mund të marrin gjithë shtesat e pagës për orët suplementare, ndërkohë që gjatë gjithë vitit 2009 nuk kishin marrë asgjë. Megjithatë, ky premtim nuk po realizohet ende, pavarësisht se dëmi ndaj policëve shtohet nga dita në ditë, duke sjellë më shumë se një vit që u mohohet një e drejtë e fituar me ligj. Madje, kjo ka sjellë pakënaqësi në radhët e uniformave blu, që kërkojnë shpjegime në lidhje me këto “mashtrime” që bëhen në kurriz të tyre.
Që prej fillimit të vitit 2009, punonjësit e policisë nuk përfitojnë asgjë për punën suplementare, pavarësisht se atyre u numërohen rreth 480 orë pune më tepër sesa u takon me ligj. Sipas ligjit, ata duhet të punojnë vetëm 40 orë në javë ose në të kundërt të shpërblehen, por pavarësisht se kanë punuar më shumë, nuk u është dhënë asnjë shpërblim. Duke u nisur nga situata e rënduar, e krijuar gjatë vitit 2009, në fund të muajit dhjetor, pikërisht në një nga analizat e policisë. Ai u ka premtuar zyrtarisht se në vitin 2010 nuk do të kalojë pa u paguar sipas ligjit asnjë orë suplementare për punën që ata kryejnë. Ministri Basha, duke inkurajuar policinë për punën e kryer dhe duke i kërkuar edhe më shumë impenjim, ka deklaruar se tashmë qeveria shqiptare, në buxhetin e policisë ka nxjerrë një zë të veçantë për pagesën e orëve suplementare, veprim i cili për vitin 2009 nuk është kryer.
Por, tashmë jemi në muajin e tretë të vitit 2010 dhe ende nuk është paguar asnjë orë shtesë për punën e policisë, pavarësisht se shërbimet kanë qenë të shumta, qoftë për mitingje të ndryshme, apo edhe për ndeshje futbolli. Kjo bie ndesh jo vetëm me ligjin e policisë, por edhe me kontratën kolektive, si dhe Kodin e Punës. Pikërisht në kontratën kolektive, në nenin 5 të saj, është përkufizuar koha normale e punës dhe shtesat mbi pagë për kohëzgjatjen e saj. Sipas këtij neni, në sistemin e punës së shërbimit policor koha normale javore e punës është 40 orë. Orari i punës përcaktohet në përputhje me interesat e palëve, përjashtuar rastet e përcaktuara me ligj dhe specifikat konkrete të vendit të punës. Gjithashtu, në nenin 5 deklarohet se punëdhënësi duhet të respektojë të drejtat e punëmarrësve sipas përcaktimeve të Kodit të Punës. Në nenin 90 të Kodit të Punës deklarohet se për punë suplementare, si dhe kur kërkohet për emergjenca të ndryshme për situata jo të zakonshme, sasia e orëve nuk mund të jetë më shumë se 10 orë në javë”. Ndërsa në nenin 91, shtohet se orët suplementare mund të kompensohen me pushim ose me pagesë shtesë, 25% më shumë se orët normale. “Orët suplementare të kryera gjatë ditëve të pushimit javor ose të ditëve të festave zyrtare kompensohen me pushim ose pagë të paktën 50% më të madhe se orët suplementare të bëra ose paga normale. Kompensimi duhet të jepet jo më vonë se periudha 2 muaj nga dita e kryerjes së punës ose shërbimit”, deklarohet në Kodin e Punës.
Megjithëse kanë kaluar më shumë se dy muaj të vitit 2010, premtimi i Bashës nuk është realizuar. Punonjësit e policisë tregojnë se atyre nuk po u jepen paratë për këto orë shtesë. Gjithashtu, një tjetër problem që është vënë në dukje prej tyre, është përllogaritja e orëve suplementare. Punonjësit e policisë tregojnë se atyre u përgjysmohen gjatë përllogaritjes, sidomos gjatë shërbimeve për ndeshje futbolli. Kur plotësojnë formularët përkatës, pavarësisht se dalin në shërbim për katër orë rresht, pasi dy orë zgjat ndeshja dhe dy orë të tjera janë masa paraprake për mbarëvajtjen e saj, atyre u paguhen vetëm gjysma, ndërsa pjesa e parapërgatitjes, pavarësisht se janë në shërbim, nuk u shpërblehet. E njëjta procedurë, sipas punonjësve të policisë, ndodh edhe për mitingjet.
#