Portugalia vendos ndërmarrjen e masave si Greqia
Portugalia është vendi i fundit i Eurozonës që ka njoftuar ndërmarrjen e masave ekonomike për të ulur shifrën e lartë të deficitit buxhetor. Ndërkohë që po dje Greqia ka bërë një thirrje në rang global për ndalimin e spekulimeve nga ana e fondeve financiare private. Pikërisht ndalimi i spekulimeve do të jetë edhe në bazë të takimit të ardhshëm të ministrave të Financës së BE-së. Fondet private financiare janë akuzuar për rëndimin e krizës greke. Vetë Kryeministri grek, që ka qenë personi që ka ndërmarrë paketën e masave shtrënguese për uljen e buxhetit, i ka quajtur spekulime të tilla që rrezikuan Greqinë, si kërcënuese të ekonomisë botërore dhe u ka bërë thirrje Shteteve të Bashkuara të Amerikës që t’i bashkohen Europës në ndërmarrjen e veprimeve për një çështje të tillë. Ndërkaq, Portugalia u bë dje vendi i fundit i Eurozonës që vendosi ndërmarrjen e masave të ashpra për të ulur shifrën e lartë të deficitit buxhetor. Ky vend parashikon që ta ulë këtë shifër me 2.3% këtë vit përmes masave të tilla si shtimit të taksave për sa u takon të ardhurave të larta dhe fitimeve nga tregjet e aksioneve. Ky program konsiderohet si një masë kyçe për të bindur tregjet ndërkombëtare, ashtu sikundër bëri Greqia, në seriozitetin e uljes së buxhetit përmes konkretësisë së masave. Edhe shtete të tjera që ndodhen në vështirësi priten që të marrin masa të tilla. Për sa u takon analistëve, plani i Portugalisë krahasuar me atë të Greqisë është më i kujdesshëm dhe më i qartë në përcaktimin e pikave ku duhej sulmuar dhe mbi të gjitha në përcaktimin e të ardhurave. Në Greqi ka nisur ndërkohë aplikimi i masave të marra dhe kjo është bërë me një urgjencë të madhe, duke qenë se i gjithë procesi, gjatë këtij viti, do të monitorohet nga BE-ja në një kohë të caktuar dhe çdo vonesë në zbatimin e planit do të ulte besueshmërinë e BE-së te Greqia.
#