E Shtunë, 31 Tetor 2026

Basha mbledh Tiranën

16/12/2011  Halleve e Tiranës duket se po i vjen fundi. Për të marrë situatën në dorë, ka ndërhyrë vet kryebashkiaku i Tiranës, Lulzim Basha, i cili sot do të ketë një takim në Bashki me gjithë skuadrën e Tiranës. Ky takim, vjen në një moment kritik për bardheblutë, të cilët prej tre muajsh nuk marrin pagat e tyre. Kjo gjë ka sjellë në deklaratat e disa lojtarëve kryesorë të skuadrës se në rast se problemi ekonomik nuk zgjidhet brenda javës, atëherë në merkaton e janarit do të largohen nga Tirana, pavarësisht ecurisë së mirë të skuadrës deri më tani. Kryetari i Bashkisë së Tiranës pritet të informojë sot skuadrën për ndryshimet që do të bëhen për menaxhimin e skuadrës.

Problemi i pagave, pritet një zgjidhje e shpejtë

Sigurisht, një nga temat kryesore për të cilat do të diskutohet sot, është ai i pagave të prapambetura të lojtarëve, por edhe stafit teknik. Gjithsesi, edhe sot, nuk pritet një zgjidhje përfundimtare e këtij problemi, ndonëse, nga burime të sigurta brenda klubit mësohet se të paktën një pagë do të arrihet të shlyhet para fundit të vitit. Basha pritet të garantojë se paratë e futbollistëve, ndonëse mund të vonojnë pak, pasi pritet miratimi i buxhetit të ri vitin e ardhshëm, do të jenë të sigurta dhe nuk do të vihen në dyshim për asnjë moment. Ndaj, Basha pritet t’i kërkojë lojtarëve dhe pak durim për të arritur tek zgjidhja përfundimtare.

Ndryshime në menaxhimin e skuadrës

Ajo që në fakt pritet të bëhet e ditur në takimin e sotëm, është menaxhimi i ri që do t’i bëhet skuadrës së Tiranës. Kështu, ky menaxhim do të ndahet mes dy personave. I pari, i cili do të caktohet nga Bashkia e Tiranës, do të merret me menaxhimin e skuadrës në aspektin financier dhe problemet financiare të skuadrës. Ndërkaq, në aspektin teknik do të mbetet Alban Tafaj, i cili tashmë do të ketë kontroll jo vetëm tek ekipi i parë i Tiranës, por edhe tek ekipet e moshave. Tafaj do të jetë përgjegjës për gjithë ecurinë e skuadrës në kampionat. Të gjitha këto ndryshime, pritet t’i bëjë të ditura vet kryebashkiaku Lulzim Basha sot në mbledhjen me skuadrën e Tiranës.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›