Kush do ishte sivjet fjala e vitit?
Çdo vit, në shumë shtete, përzgjidhet fjala e vitit. Kështu, mediat amerikanë bëjnë me dije se Merriam-Webster ka shpallur si fjalë të vitit fjalën pragmatik. Fjalori i famshëm thekson se për këtë fjalë është kërkuar më shumë gjatë këtij viti, sidomos kur ka pasur diskutimet e mëdha në Kongres për reformat ekonomike.
Ndërkohë, në Gjermani, Shoqata për Gjuhën Gjermane vendosi që fjala e vitit të jetë stresstest, që në shqip përkthehet në dy fjalë testi i stresit. Që nga viti 1971 zgjidhet fjala e vitit që është një koncept i përdorur më shpesh në diskutimin publik. Në këtë rast bëhet fjalë për një koncept mjekësor që përdoret gjerësisht së fundmi në ekonomi.
Kurse në Kinë fjala e vitit (në fakt aty quhet karakteri i vitit për shkak të gjuhës së shkruar) ka qenë kong që do të thotë kontroll.
Në shpjegimin zyrtar u tha se kjo fjalë është përdorur shpesh ngaqë qeveria synon të mbajë nën kontroll inflacionin. Por natyrisht përdorimi i saj i gjerë lidhe me kontrollin e qeverisë mbi median, shoqërinë, etj.
Kështu, duket se në mbarë botën ekonomia ka dominuar zgjedhjen e fjalës së vitit.
Po në Shqipëri, kush mendoni se ka qenë fjala e vitit? Na jepni sugjerimet tuaja në blogun tonë!