E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama “jo” Nanos president

16/12/2011  Kreu socialist në Burrel me “Kurbanin”. Shigjetoi ashpër qeverinë “Berisha”

Në fjalën e tij gjatë prezantimit të librit, Rama paralelizoi keqqeverisjen me çështjen në fjalë

Qeverisja aktuale më e keqe se çështja Nano! Me një fjali të tillë, kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, zgjodhi t’i përgjigjej pretendimit të ish-paraardhësit të tij Fatos Nano për t’u përfshirë në garën për kreun e ri të shtetit. Duke dashur ta anashkalojë, por njëkohësisht dhe ta paralelizojë me keqqeverisjen një çështje të tillë, kryetari Rama dha deri diku qartazi qëndrimin e tij mbi emrin e Nanos si një kandidaturë për postin e presidentit të ri. Në këtë mënyrë, nëse deri dje përfaqësuesit socialistë dukej sikur jepnin mendimet personale mbi këtë figurë, tashmë kreu i PS-së mbyll çdo mundësi për propozimin e Nanos si kandidaturë për presidentin e ri të propozuar nga kjo parti. Këtë qëndrim kryetari Rama e bëri të ditur gjatë promovimit të librit të tij “Kurban” në Burrel. Gjatë prezantimit të këtij libri, kreu socialist vlerësoi si problemin më të rëndësishëm pikërisht mënyrën se si po qeveriset vendi nën qeverisjen “Berisha”. Për këtë arsye, kryetari i socialistëve nuk kurseu akuzat ndaj mazhorancës aktuale. “Kjo nuk është Shqipëria e ëndrrave të shqiptarëve. Kjo nuk është Shqipëria e mundësive të barabarta. Kjo nuk është Shqipëria që meritojnë fëmijët tanë. Qytetarët meritojnë një qeveri që t`u shërbejë. Nuk duan një qeveri që u kërkon të lumturohet me lugën bosh”, - ka theksuar Rama, ndërsa ka shtuar se PS-ja do të ndërtojë një Shqipëri të re, një Shqipëri që u ëndërrua dhe u shpresua në vitet ‘90. Ndërkohë që në faqen e tij në “twiter”, Rama shkruante: “Në Burrel me matjanë libradashës. Bashkia pa asnjë fond dhe një grua socialiste kryebashkiake që lufton përditë me komunitetin në krah”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›