Basha mbledh krerët e 11 minibashkive, ndan detyrat për një strategji të re komunikimi mes bashkisë dhe njësive bashkiake
Refuzojnë socialistët
Kreu i ri i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha ka mbledhur sot në një takim me krerët e njësive bashkiake. Në këtë takim, kanë munguar 4 krerët e njësive vendore, të Partisë Socialiste. “Shpresoj që kolegët që mungojnë do të na bashkëngjiten mbledhjen tjetër, sepse pavarësisht ngjyrave politike, rëndësia kryesore dhe mesazhi kryesor që dua të japë sot është bashkëpunimi i plotë dhe pa asnjë dallim mes bashkive të Tiranës dhe 11 minibashkive të saj. Ju jeni vija e parë e frontit, sa i përket adresimit të problemeve të qytetarëve, për këtë arsye komunikimi mes bashkisë dhe 11 bashkive do të jetë i përhershëm dhe i hapur”- u shpreh Basha. Duke iu drejtuar krerëve të njësive bashkiake, ai kërkoi ngritjen e një grupi pune për një platformë decentralizimi. Basha u kërkoi atyre, që interesat e qytetarëve që përfaqësojnë të jenë primare. Kryebashkiaku i Tiranës deklaroi se decentralizimi i burimeve drejt minibashkive, është kryefjala e kësaj reforme, që do të kërkojë bashkëpunim të ngushtë me krerët e qeverisjes vendore. “Propozoj një takim të paktën një herë në muaj me të njëjtin format si Këshilli Bashkiak, ku ne të diskutojmë për çështjen e komunitetit që përfaqësoni, por dhe reformën e nevojshme të decentralizimit, pjesë e programit tim dhe domosdoshmëri për të përparësuar atë agjendë që ndahet nga forcat politike, duke vendosur interesin e qytetarit në plan të parë dhe dëgjimin e qytetarit në vendimmarrje”, vijoi kryebashkiaku Basha.
...