Thaçi: EULEX të institucionet në shtrirjen e sundimit e ligjit në gjithë Kosovën. OKB refuzon kërkesën e Serbisë për seancë të posaçme

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi thërriti sërish sot mbledhjen e Qeverisë, për të dhënë sqarime të mëtejshme, lidhur me situatën në veri të vendit, pas ndërhyrjes në pikat kufitare. Kreu i ekzekutivit këmbëngul se nuk do të ketë kthim prapa, ndërsa ndërhyrjen e konsideron si “hapje të një epoke të re për Kosovën”. Ai tha se me këtë veprim është ndalur 100 % kontrabanda në atë pjesë të vendit. Po ashtu kryeministri Thaçi ka folur edhe për qëndrimin e politikanëve serbë gjatë këtyre ditëve në veri. Thaçi paralajmëroi ata se janë duke qëndruar ilegalisht në Kosovë, ndërsa shtoi se në të ardhmen do të ballafaqohen me ligjin. “Kemi pasur qëndrime ilegale të zyrtarëve politikë serbë në Kosovë, do të jemi të vendosur që qëndrimin e tyre ta trajtojmë në bazë të Kushtetutës dhe ballafaqimin e tyre me rendin dhe ligjin. Ndërsa çështjen e pikave kufitare nuk do ta negociojmë me askënd. Nga 25 korriku Kosova është ndryshe, është hapur kapitulli i ri për funksionimin e sovraniteti dhe askush nuk kanë të drejtë të ulet dhe të diskutojë në emër të Kosovës çështjet e brendshme të saj”- u shpreh Thaçi.
Ai u ndal edhe tek veprimet e bandave serbe sidomos pas djegies së pikës 1, ndërsa ritheksoi se ky veprim ishte i organizuar mirë nga zyrtarët e lartë në Serbi.
Ai bëri të ditur se “sot ka nisur riparimin i dëmeve nga kjo pikë kufitare ndërsa aty sipas tij do të kthehen shpejt policia dhe doganierët kosovarë”.
Gjithashtu, kreu i Qeverisë së Kosovës u ndal në një pikë të veçantë lidhur me përgjegjësitë e misionit të Bashkimit Evropian në Kosovës të EULEX. Thaçi i bëri thirrje EULEX-it, që të ndihmojë institucionet për të vënë rendin dhe ligjin, pasi sipas tij, për këtë edhe janë ftuar, ndërsa ndihma është obligim i tyre.
BE thirrje të ulen tensionet
Bashkimi Evropian u ka bërë thirrje Serbisë dhe Kosovës të ulin tensionet, pas një serie incidentesh në “kufirin e përbashkët”. Në deklaratën e shefes për politikë të jashtme të BE-së, Kethrin Eshton, thuhet se të dyja palët duhet të dinë se “çfarë është në rrezik për to”. KFOR-i ka vënë nën kontroll pikat doganore në veri të Kosovës, pas incidenteve të së mërkurës kur një grup serbësh dogji pikën doganore në Jarinë. Ndërkohë veriu i Kosovës mbrëmë ka kaluar një natë më të qetë, ndonëse ende ka barrikada nëpër rrugët që çojnë në vendkalimet kufitare me Serbinë, raportojnë autoritetet e sigurisë.
Zëdhënësi Brahim Sadriu tha se, “gjatë natës së kaluar situata ka qenë e qetë, nuk kemi pasur incidente të raportuara”. “Dy rrugë që shpien në dy vendkalimet kufitare ende kanë disa pengesa, por nuk ka pasur incidente. Kjo tregon se, situata është e qetë dhe po shkon drejt normalitetit”- tha ai. Pas sulmeve të grupeve të serbëve në pikat doganore, këto të fundit mbeten nën kontrollin e forcës paqeruajtëse
Refuzimi nga OKB
Këshilli i Sigurimit ka mbajtur konsultime të mbyllura për situatën në Kosovë, ndërkohë që ka refuzuar thirrjet e Serbisë për një takim të veçantë të Këshillit. Ministri i Jashtëm serb, Vuk Jeremiq, ka protestuar pasi nuk u lejua të adresojë konsultimet. “Është shumë e vështirë për ne të kuptojmë se përse kaq shumë rezistencë për të dhënë kontribut në debatin e një shteti anëtar të Kombeve të Bashkuara. Ju mund të pajtoheni ose jo me atë që ka për të thënë Serbia, por të paktën është e drejtë të na dëgjoni – ne nuk u lejuam të dëgjohemi”, tha Jeremiç.
Ndërsa agjencia “Kosovapress” raporton për të shtëna armësh në veri të Kosovës. Ngjarja ndodhi orët e vona të mbrëmjes kur forcat e KFOR-it kanë arritur të largojnë barrikadat në Zupç afër Zubin Potokut, rrugë kjo që shpie në drejtim të pikës kufitare 31, përkatësisht në Bërnjak.
Pas kësaj, një grup prej dhjetëra serbësh të revoltuar për largimin e këtyre barrikadave, kanë shtënë me armë zjarri në drejtim të automjeteve të KFOR-it. Nuk dihet nëse ka të lënduar nga këto të shtëna.
Dje, Parlamenti i Kosovës i dha mbështetje me anë të një rezolute Qeverisë së Kosovës për vendosjen e rendit në pikat doganore në veri të Kosovës dhe në zbatimin e reciprocitetit me Serbinë, ndërsa KFOR-i amerikan mori tërësisht në kontroll 2 pikat kufitare duke i shpallur ato zona të ndaluara.