Basha mbledh shoqatën e bashkive: Retorikë për cungim të ardhurash, s’ka dëshmi
Ministri i Brendshëm, Lulëzim Basha, priti dje përfaqësuesit e shoqatës së bashkive, drejtuar nga kryetari i Bashkisë së Kavajës. Në këtë takim, Basha kërkoi prova nga të gjithë ata që pretendojnë se qeveria ka cunguar decentralizimin e pushtetit vendor dhe veçanërisht pavarësinë financiare të tij. “Nuk më mbetet gjë tjetër veçse të përsëris vullnetin e kryeministrit Berisha për këdo që pretendon se ka një zvogëlim, mund ta paraqesë me fakte dhe padyshim që Qeveria do t’ kompensojë”, deklaroi ministri i Brendshëm. Deri më sot, iu drejtua krerëve të bashkive, “përveç retorikës nuk ka pasur asnjë dëshmi të tillë dhe nuk do të ketë për sa kohë që Qeveria vazhdon në mënyrë progresive në çdo situatë të ketë parësore mbajtjen e niveleve optimale të financimit tuaj dhe avancimin e tyre më tej”.