Presidenti Topi propozon zyrtarisht Kadarenë për “Nobelin”
Shteti shqiptar ka nisur një lobim në Akademinë Suedeze të çmimit “Nobel”, ku ka kërkuar që shkrimtari shqiptar, Ismail Kadare, të fitojë çmimin “Nobel” për letërsi në vitin 2009. Presidenti Bamir Topi ka qenë i pari që ka reaguar, duke zyrtarizuar këtë lobim me anë të një letre dërguar kësaj akademie, ku i kërkon që të vlerësojë shkrimtarin shqiptar. Në letrën e tij, Topi shkruan se Kadareja përbën një vlerë jo vetëm shqiptare, por tashmë ndërkombëtare, që me veprat e tij jep mesazhe humaniste dhe emancipuese. Presidenti ka deklaruar se është konsultuar me shumë figura shqiptare dhe akademikë për një nismë të tillë. Në njoftimin zyrtar të Presidencës thuhet se kreu i shtetit, “pas një sërë konsultimesh me Akademinë e Shkencave shqiptare, me rrethe të ndryshme intelektualësh, botuesish, kritikësh letrarë dhe personalitete të spikatura të artit e të kulturës shqiptare dhe të huaj, i ka dërguar një letër Akademisë së çmimit “Nobel”, në përkrahje të kandidaturës së shkrimtarit të madh, Ismail Kadare, për marrjen e çmimit “Nobel” në letërsi për vitin 2009”. Në letrën për Akademinë Suedeze shkruhet se shkrimtari Ismail Kadare mbart vlera universale ndaj gjithë njerëzimit dhe ka dhënë mesazhe emancipuese dhe lirie në kushtet e një diktature të egër komuniste. “Këtë akt po e ndërmarr, sepse vepra e Ismail Kadaresë është monumentale për nga vlera artistike, si dhe mbart e përcjell mesazhe humaniste e universale ndaj gjithë njerëzimit. Shqiptarët vuajtën njërën prej diktaturave më të egra që njerëzimi ka njohur në shekullin e 20-të, ku izolimi total ishte një nga tiparet dalluese të saj. Në këtë sistem të mbyllur, shkrimtari i madh Ismail Kadare shkroi një letërsi me frymë evropiane, të lirë dhe emancipuese për artin e kulturën shqiptare, kur kjo ishte gjëja më e vështirë në një shtet komunist të bunkerizuar”, - thuhet në letrën e Presidentit Topi dërguar në Akademinë Suedeze të çmimit “Nobel”. Më tej, në letrën e tij Topi i shpreh Akademisë rëndësinë që ka figura e Kadaresë për kombin shqiptar. “Si për shumë shkrimtarë të mëdhenj, nuk kanë munguar insinuatat e pabazuara. Shteti ynë demokratik e njeh mirë këtë shkrimtar, i cili ka një integritet të lartë moral. Është ky shtet demokratik, i cili menjëherë pas rrëzimit të komunizmit i dha Kadaresë titullin më të lartë moral "Nderi i Kombit". Ndryshimet demokratike në vendin tonë, ndërtimi i demokracisë dhe integrimi në Evropë, zënë fill edhe tek vepra e Ismail Kadaresë, i cili mbështeti me kurajo lirinë kundër tiranisë, humanizmin kundër dhunës. Vepra dhe zëri i Kadaresë janë pa dyshim pasuria më e madhe intelektuale, artistike e morale në botën shqiptare dhe përbëjnë gjithashtu vlera të çmuara të trashëgimisë shpirtërore e kulturore botërore. Për gjithçka që përfaqëson Ismail Kadareja dhe vepra e tij, jam i mendimit se meriton të nderohet me çmimin e lartë “Nobel” prej Akademisë suaj”, - përfundon letra e Presidentit Bamir Topi.