E Diel, 1 Nëntor 2026

Basha me 50 qytetarë, sot në Bruksel për të kremtuar udhëtimin e tyre të parë me pasaportë biometrike

15-12-2010 / Gazeta 55

50 qytetarë, që nuk kanë udhëtuar asnjëherë jashtë vendit, do të udhëtojnë drejt Brukselit, nesër më 15 Dhjetor 2010, ditën e parë të hyrjes në fuqi të vendimit të Bashkimit Europian për lëvizjen e lirë të qytetarëve shqiptarë në zonën Shengen. Të shoqëruar nga Ministri i Brendshëm Z. Lulzim Basha këta qytetarë do të priten në takime të veçanta nga përfaqësues të lartë të Komisionit, Këshillit dhe Parlamentit Europian. Një pritje është rezervuar nga Drejtori për Ballkanin Perëndimor në Drejtorinë e Përgjithshme të Zgjerimit Z. Pierre Mirel dhe Shefi i Njësisë për Marrëdhëniet me Jashtë në Komisionin e Punëve të Brendshme, Z. Luigi Soreca si dhe një përfaqësues i presidencës belge të Bashkimit Europian. Në axhendën e vizitës për këta qytetarë është parashikuar një vizitë në Parlamentin Europian. Më tej 50 vizitorët nga Shqipëria do të zhvillojnë një takim të posaçëm me Komisionerin për Zgjerimin të Bashkimit Europian Z. Stefan Fule, Kryetarin e Delegacionit për Ballkanin në Parlamentin Europian Z. Eduard Kukan dhe eurodeputetet Znj. Doris Pack e Znj. Tanja Fajon. Me një videomesazh do të përshëndesë këtë takim edhe Presidenti i Parlamentit Europian Z. Jerzy Buzek.
Ditën e enjte më 16 Dhjetor 2010, vizitorët nga Shqipëria do të takohen me Komisioneren për Çështjet e Brendshme Znj. Cecilia Malmstrom. Pas këtij takimi dhe një turi shëtitës në qytetin e Brukselit, 50 udhëtarët e parë të lëvizjes së lirë në Europë, do të fluturojnë nga Brukseli për në Romë, Itali.
Në Romë do të zhvillohet një takim me Ministrin e Jashtëm Z. Franco Frattini. Me tej qytetarët do të vizitojnë muzeun Capitolini dhe sallën e firmosjes së Traktatit të Romës. 50 qytetarët të shoqëruar edhe nga një grup i gjerë gazetarësh do të kthehen në Tiranë rreth orës 22:30 të ditës së enjte, datë 16 Dhjetor 2010.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›