E Shtunë, 31 Tetor 2026

Z. Zogaj, të mbrosh edhe pas 20 vitesh persekutorin Shinasi Rama, është krim

15-12-2010 / Editorial

Gjatë një interviste dhënë dje një të përditshme, përfaqësuesi i “opozitës së bashkuar”, z. Preç Zogaj u shfaq në rolin e revizionimit të të vërtetave që lidhen me historinë e lëvizjes studentore duke mbrojtur ndër të tjera, më fort nga çmendohej, të quajturin Shinasi Rama. Ky i fundit ka vite që rreket në rolin e “revizionistit historik”, a thua se në këtë botë të madhe nuk di të bëjë punë tjetër, veç asaj të këndimit të një kënge në dhjetorin e çdo viti. Për kujtesë të njerëzve që ndoshta nuk ia kanë ngenë Shinasiut, po u kujtojmë se zotëria e tij është ai që në takimin me Ramiz Alinë ishte përballë tij. Shinasiu mbajti këtu diskutimin më pa kuptim dhe pa bosht që fillonte me kohën e Skënderbeut, vazhdonte me “satrapin Zog” dhe përfundonte duke i mbushur mendjen Ramiz Alisë së kishte qenë kolonel dhe jo nënkolonel në kohën që vriste shqiptarë. Më pas Shinasiu, për shkak të “performancës” në veshje dhe fizionomisë statike shumë interesante, ka zënë vend në të gjitha fotot e bëra në mitingun e madh në qytetin Studenti. Shinasiu ishte shumë më i madh në moshë se bashkëmoshatarët, por ndryshe nga disa prej tyre vinte me “kontribute” të mëdha duke plasur deri edhe njerëz në burg për arsye politike. Në sajë të këtyre “kontributeve” shteti shqiptar paguan sot financiarisht dëmet që ka shkaktuar dje regjimi komunist, sigurisht nëpërmjet “veprave” që ka bërë kallëzimtari Shinasi Rama e të tjerë si ai.
Para se të kalojmë në hamendësime të tjera për çështje se cili ishte ky apo ai në këtë lëvizje, së pari le ta nisim nga cili ishte Shinasi Rama dhe nëse pranohet se regjimi kishte interes të kishte njerëzit e tij brenda kësaj lëvizje, në anë e çonte veten Shinasiu. Për arsyen e thjeshtë se Shinasiu ia rriti një gradë ushtarake Ramizit nënkolonel, duke e bërë kolonel, pasi e bëri “leckë” rruge “satrapin Zog”, vetiu të krijohet pozicioni i tij pamor. Dhe Ramizi zëhollë u emocionua shumë nga fjala e zëçjerrit Shinasi, aq sa kishte durimin e ta dëgjonte me shumë qetësi. Sikur kjo të ngelej deri këtu nuk kishte asgjë shqetësuese, as ia vlente fare të merreshe me Shinasiun që zhurmon na larg sa herë vjen muaji dhjetor i çdo viti.
Ajo që duhet thënë është se z. Zogaj na fton që për të ndërtuar kronologjinë e ngjarjeve të dhjetorit 1990 duhet patjetër të marrim në referencë “revizionistin historik”, të quajturin Shinasi Rama. Ky i fundit si konsumator i shtypit të majtë sot e ka dhënë përgjigjen se çfarë roli ka pasur në dhjetorin e vitin 1990 dhe ku ka qëndruar deri sot. Koha pra ka treguar se në çfarë llogoreje ka qenë Shinasiu.
Në fakt Shinasiu ka përvoja të hidhura nga dhjetorët. Dikur në një ditë të ftohtë dhjetori kur ishte 20 vjeç Shinasi Rama nxitonte vrullshëm në Hetuesinë e Rrethit Shkodër për të bërë një denoncim pasi puna e armikut kishte shkuar aty ku nuk mbante më. Duheshin lajmëruar organet e punëve të brendshme, duhej goditur armiku pasi lufta e klasave ishte në kulmin e vet. Ndryshe nga herë të tjera, nuk kemi të bëjmë me dëshmi gjatë hetimit, por para dhe gjatë hetimit. Gatishmëria e një njeriu të dëshpëruar si Shinasi Rama që mendonte të fitonte vendin e tij në shoqëri duke ndërtuar të ardhmen e tij mbi të keqen e të tjerëve. Të gjitha ato gjëra që kishte dëgjuar nga një njeri i kulturuar si Luk Velaj i dënuar edhe më parë për çështje politike kishin krijuar tek ai pështjellim dhe dialog të brendshëm se armiku duhej goditur. Në këtë dialog të madh me vetveten fitoi Shinasiu i vërtetë, ai që do shfaqej gjithë kohën i etur për të tilla punë.
Ka nisur një kallëzim dhe hetuesia e shkathët ka kopsitur dosjet duke shtuar edhe tradhtinë ndaj atdheut në formën e arratisjes, duke shtuar edhe dy të tjerë.
Kallëzimi i Shinasiut është zhvilluar më 11 dhjetor 1977. Ai është marrë nga hetuesi Jak Tefiku. Shinasi Rama, deponon për njohjet e tij me të pandehurin Luk Vela, për rrethanat në të cilat e ka njohur, bisedat që ka bërë me të, etj.
Nga përgjigjet e kësaj pjese, del se ai nuk ka pasur ndonjë mosmarrëveshje me të. Jo vetëm kaq, por nga kallëzuesi shprehet gatishmëria t’i tregojë këto fjalë në të gjitha rastet që do të pyetej nga organet e diktaturës. Vërtet Shinasi Rama është “dhjetorist”, por ama është dhjetorist i 1977 dhe jo i 1990-s. Kjo është kryesorja. Për denoncimin e Shinasit, Luk Velaj i hëngri 20 vjet burg nga gjykata.
Është e habitshme pra se si z. Zogaj mund të na referojë sot “revizionistin historik” Shinasi Rama apo aq më keq të na e rekomandojë atë si monopolistin e të vërtetës. Ashtu si Shinasiu i bëri keq Luk Velajt, mund të përmendim se si i është bërë keq nga të tjerë për shembull K. Gjinit, Th. Gjokës, A. Roshit, K. Shenës, etj.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›