E Shtunë, 31 Tetor 2026

Progresi i Shqipërisë, i jashtëzakonshëm, akordimi i statusit, sapo të përmbushen 12 kriteret

15-12-2010 / Gazeta 55

Deklarata e plotë e Këshillit të Ministrave të BE, lidhur me strategjitë e zgjerimit, që do të ndiqet gjatë vitit 2011

“Këshilli mirëpret Opinionin e Komisionit për aplikimin e Shqipërisë për anëtarësim në BE. Shqipëria ka bërë progres në drejtim të përmbushjes së kritereve politike të përcaktuara nga kërkesat e Procesit të Kopenghagës së Këshillit Evropian dhe të Stabilizim-Asociimit. Përsa i përket kritereve ekonomike, Shqipëria ka arritur një shkallë të sigurtë të stabilitetit makroekonomik. Trajektorja e Shqipërisë në udhën e zbatimit të detyrimeve, sipas Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit, është përgjithësisht pozitive.
Shqipëria do të jetë në një pozicion për të plotësuar detyrimet e anëtarësimit në një periudhë afatmesme në shumicën e fushave të përcaktuara në Acquis.
Përpjekje të mëtejshme janë të nevojshme, në veçanti, në zbatimin e dymbëdhjetë prioriteteve kryesore, të përcaktuara në Opinionin e Komisionit mbi Shqipërinë, të cilat duhet të shqyrtohen. Këto prioritete kryesore  përqendrohen në stabilitetin e institucioneve që garantojnë demokracinë, sundimin e ligjit, reformat gjyqësore, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, reformën zgjedhore, reformat në administratën publike dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut, duke përfshirë edhe të drejtat mbi pronësinë. Këshilli inkurajon partitë politike për tejkalimin e konfliktit të tanishëm politik, duke vendosur një dialog politik të qëndrueshëm dhe konstruktiv për të siguruar funksionimin e duhur të Kuvendit.
Këshilli thekson se hapja e negociatave për anëtarësim do të shqyrtohet nga Këshilli Evropian, në përputhje me praktikën e vendosur, pasi Komisioni të vlerësojë se Shqipëria ka arritur shkallën e nevojshme, në përputhje me kriteret e anëtarësimit dhe në mënyrë të veçantë të përmbushë prioritetet kryesore të përcaktuara në Opinionin e Komisionit Europian për vendin. Këshilli fton Komisionin të fokusohet në raportin e progresit të vitit 2010 për Shqipërinë, në veçanti në zbatimin e atyre prioriteteve kryesore të cilat duhet të adresohen dhe do të kthehet në ato çështje, kur Komisioni të vlerësojë se këto kushte janë plotësuar”.

Zëdhënësi i KE-së, Cercone: Lëvizja pa viza e shqiptarëve ka filluar pak minuta pas mesnate

Sot në orët e para të mëngjesit ka hyrë në fuqi vendimi i Bashkimit Evropian për të gjithë shtetasit shqiptarë të cilët posedojnë një pasaportë biometrike. Të gjithë shtetasit, pa përjashtim, janë të lirë të hyjnë në vendet e Bashkimit Evropian lirisht, për një periudhë tre mujore brenda hapësirës gjashtë mujore. Vendimi hyri në fuqi në sekondat e para të datës 15 Dhjetor, pikërisht në momentin kur kaloi e marta dhe hyri e mërkura. Ndërkohë, Michele Cercone, zëdhënës i Komisionit Evropian, duke folur për mediat lidhur me heqjen e vizave, konfirmoi dje se “lëvizja e lirë e qytetarëve shqiptarë në zonën “Schengen”, fillon nga minuta e parë pas mesnatës së datës 14 dhjetor 2010”. Ai konfirmoi se “sigurisht, duke filluar nga ai moment, qytetarët e Shqipërisë mund të udhëtojnë lirisht në zonën “Schengen” pa viza”. Zëdhënësi i Komisionit Evropian, pohoi se heqja e vizave, “është një mundësi e shkëlqyer për shkëmbime tregtare, turizëm, apo vizita familjare, por nuk të jep të drejtën për t’u transferuar dhe për të jetuar në një shtet të zonës “Schengen”.

Në pikat e kalimit kufitar
Ndërkohë, kontrollet në vendkalimet kufitare, do të vazhdojnë sikundër edhe më parë. Por çfarë ndryshon: Tashmë, doganierët dhe kontrollorët në palën shqiptare dhe atë të vendeve të BE apo zonës “Schengen” në tërësi, do t’ju bëjnë si kërkesë themelore jo vizën brenda pasaportës ndërkombëtare, por pasaportën ndërkombëtare biometrike. Duke qenë se për qytetarët shqiptarë bëhet fjalë për një qëndrim deri tremujor për çdo gjashtë muaj, mund të bëhen kërkesa opsionale, në mënyrë të personalizuar për udhëtarë të ndryshëm, konform udhëzimeve të shpërndara nga secili shtet për pikat e tyre kufitare. Kështu në kontrollin kufitar ju mund t’ju kërkohet një kartë krediti e cila për hir të së vërtetës u mbyll gojën shpejt dhe pa fjalë të shumta kufitarëve të huaj. Kurse opsionale janë kërkesat e tyre ndaj shtetasve shqiptarë, për shkresurina të tilla burokratike, si bileta e kthimit, adresa e vendbanimit të personit që vizitohet nga udhëtarët, apo destinacioni i përafërt në vendet e “Schengen”-it që do të vizitojnë udhëtarët shqiptarë. Po ashtu një kërkesë thuajse e përhershme rutinë e kufitarëve të huaj do të jetë se sa ditë do të jetë qëndrimi i juaj në vendet e zonës Schengen. Përgjigjja juaj ndonëse mund të jetë apriori, konsiderohet e mirëqenë nga kontrollori kufitar por e rëndësishme është që të mos shkelen afatet 3 mujore të qëndrimit në harkun kohor prej gjashtë muajsh, pasi rrezikohen penalitete individuale. Këshillë vlefshme në këto raste është që qytetarët shqiptarë, të mbajnë me vete të gjitha elementet që mund të provojnë, që qëllimi është për të qëndruar për një periudhë afatshkurtër pra brenda limiteve kohore të sipërpërmendura.

Mesazhi i ministrit të Jashtëm, Edmond Haxhinasto: Të sillemi si evropianë të vërtetë

“Vërtetë kjo është një ditë historike, një ditë shumë e rëndësishme, është gëzimi i një të drejte njerëzore dhe themelore, por ky është dhe një detyrim i të gjithë respektimit të të gjithë rregullave të lëvizjes së lirë në hapësirën “Schengen”. Qytetarët së pari duhet të kenë një pasaportë biometrike, të respektojnë kohën e qëndrimit në të gjithë shtetet që i përkasin hapësirës “Schengen”, përndryshe do të ketë sigurisht penalitete. Penalitetet fillimisht janë individuale,  ku ju hiqet e drejta të gjithë shkelësve deri në 5 vjet dhe në qoftëse fenomeni është i përhapur, (që unë nuk e mendoj në asnjë rrethanë), atëherë mund të  ketë penalitete kolektive në sensin që mund të kthehet regjimi i mëparshëm i vizave”.

Udhëzimi i shpërndarë nga policia kufitare saktëson se: Nëse ju qytetarë do të udhëtoni tek të afërmit tuaj, ju duhet:

1. Të tregoni të dhënat e personit që ju pret dhe gjeneralitetet si dhe adresa e banimit
2. Të keni mjete të mjaftueshme financiare me vete në cash apo në kartë krediti për të mbuluar shpenzimet e qëndrimit sipas kuotës së përcaktuar nga vendi ku ju do të qëndroni, ku këto mjete financiare mund të garantohen se mbulohen dhe nga personi që ju pret
3. Të keni biletën e kthimit me vete
4. Si dhe të keni sigurimin shëndetësor në udhëtim

Nëse udhëtoni për turizëm, aktivitet biznesi etj:

1. Të keni një rezervim hoteli
2. Të keni mjete të mjaftueshme financiare me vete, në cash apo kartë krediti për të mbuluar shpenzimet e qëndrimit sipas kuotës së përcaktuar nga vendi ku ju do të qëndroni
3. Të keni biletën e kthimit me vete
4. Të keni sigurimin shëndetësor në udhëtim

Nëse udhëtoni për arsye shëndetësore:

1. Duhet të keni një rezervim hoteli ose rekomandimin për shtrim në një institucion shëndetësor në vendin ku do të trajtoheni
2. Të keni mjete të mjaftueshme financiare me vete, në cash apo kartë krediti për të mbuluar shpenzimet e qëndrimit sipas kuotës së përcaktuar nga vendi ku ju do të qëndroni
3. Të keni një korrespondencë me institucionin shëndetësor që ju do të kontaktoni
4. Të keni sigurimin shëndetësor në udhëtim

Nëse duhet të udhëtoni për të marrë pjesë në aktivitete të ndryshme:

1. Të keni ftesë për të marr pjesë në aktivitet
2. Të keni sigurimin shëndetësor në udhëtim

Dhe e fundit kërkesë për të gjithë qytetarët që udhëtojnë pas datës 15 dhjetor thuhet se:

1. Të mos tejkalohen afatet e qëndrimit 90 ditë për 180 ditë
2. Të mos punohet ilegalisht
3. Të mos bëhen barrë publike
4. Të mos përfshihen në aktivitete kriminale

Nëse nuk plotësohen kushtet e sipërpërmendura, autoritetet kufitare të vendit ku ju po udhëtoni mund të mos lejojnë hyrjen tuaj deri sa ju të plotësoni këto kushte dhe mund t’ju kthejnë menjëherë në Shqipëri.

Kostoja ditore e qëndrimit në secilin prej vendeve të “Schengen”-it

Itali
Nga 1 në 5 ditë:
Një person: 269 euro
Dy ose më shumë persona: 212,81 euro

Nga 6 deri në 10 ditë
Një person: 44, 93 euro
Dy ose më shumë persona: 26,33 euro

Për 11 deri në 20 ditë:
Një person- Shuma fikse: 51,64 euro + 36,67 në ditë
Dy ose më shumë persona- Shuma fikse: 25,82 euro + 22,21 në ditë

Më shumë se 20 ditë:
Një person- Shuma fikse: 206,58 euro + 27,89 në ditë
Dy ose më shumë persona- Shuma fikse: 118,79 euro + 17,04 në ditë

Greqi
20 euro në ditë

Gjermani
45 euro në ditë

Belgjikë
38 euro në ditë për ata që s’kanë kartë krediti

Francë
52,60 euro në ditë

Holandë
34 euro në ditë

Zvicër
100 CHF në ditë, studentët (30 CHF) në ditë

Austri
E papërcaktuar

Qipro
E papërcaktuar

Danimarkë
60 euro në ditë

Spanjë
63, 20 euro në ditë

Finlandë
30 euro në ditë

Hungari
1000 HUF

Islandë
4000 ISK

Letoni
60 LVL në ditë

Lituani
15LVL në ditë

Luksemburg
(E papërcaktuar)

Maltë
20MTL (48 euro në ditë)

Norvegji
500 NOK/ditë për ata që s’shkojnë te familjarë)

Poloni
500 PLN

Portugali
75 euro për hyrje

- 40 euro në ditë

Sllovaki
E papërcaktuar

Slloveni
70 euro në ditë (për ata që s’shkojnë te familjarët)

Suedi
(E papërcaktuar)

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›