E Diel, 1 Nëntor 2026

Basha me arkitektet prezantohet projekti urbanistik

Plani urbanistik i Tiranës është vendosur në qendër të diskutimeve të kandidatit për bashkinë e kryeqytetit Lulzim Basha. Në një takim me arkitektë dhe urbanistë të njohur,  Basha ka prezantuar platformën për këtë plan e cila sipas tij do të jetë në funksion të çdo individi apo biznesi.

“Propozimi im është hartimi I planit urbanistik të Tiranës dhe paraqitja e tij jo më vonë se shkurti I vitit 2012. ky plan do të harmonizojë interesat e ndryshme të zhvillimit, që nga interesat e individit më të thjeshtë, të vogëlushit, të prindit, deri tek interesat e zhvillimit të korporatave të mëdha, punëdhënësve të mëdhenj të Tiranës. Unë propozoj bashkëvendimmarrje totale me të gjithë qytetarët e Tiranës për miratimin e këtij plani, bashkëvendimmarrje e cila në optikën time nuk ka pse të mos marrë edhe formën e një referendumi qytetar për planin e përfunduar sipas kritereve e parimeve bazë që sot udhëheqin plane të tilla në gjithë Europën” tha Basha.

Ndërkohë Basha ka vizituar gjatë paradites edhe një fabrikë të biznesit fason ku ka premtuar krijimin e një parku fason ku mallrat do të shiten dhe ekspozohen, po pa harruar lehtësitë për gratë në marrëdhënie pune.

“Të krijojmë një park në Tiranë si kudo tjetër tashmë në Ballkan ku prodhohet, por dhe ekspozohet prodhimi dhe shitet prodhimi. Për gratë në marrëdhënie pune do të ketë një vëmendje të veçantë. Duke filluar nga vera tjetër bashkia do të financojë shkolla dhe kopshte verore për të gjithë fëmijët, nënat e të cilëve janë në marrëdhënie pune. Do të shikojmë një paketë të veçantë stimuluese për gratë në marrëdhënie pune në mënyrë që nëpërmjet tarifave të reduktuara, shërbimeve ekstra, tu vihet sadopak ndihmë. Ky qytet ka nevojë të menjëhershme për punësim dhe unë si kryebashkiak angazhohem ta bëj punësimin prioritetin tim numër një” tha Basha.

Kandidati për kryetar bashkie tha se bashkia e drejtuar prej tij do të nxisë bizneset e reja dhe uljen e çmimeve.

Aurela Papadhima

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›