E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: Mandatet e PS nuk digjen

 

Elbasan / Aldo Kozare

Mandatet e deputetëve socialistë nuk digjen nga mungesa në Parlament. Kreu socialist Edi Rama i dha dje përgjigje nga Elbasani të gjithë kostitucionalistëve dhe juristëve për djegien e mandateve të deputetëve socialistë nëse mungojnë mbi gjashtë muaj në Kuvend. “Kërkojnë të përçajnë opozitën me diversione të turpshme, e iu thonë të pavërteta nga një përditë, lidhur me mandatin e deputetëve të PS-së, ne nuk hyjmë dhe nuk do të hyjmë në Kuvend për t’u bërë bashkëfajtor në mbylljen e syve përpara të vërtetës dramatike të 28 qershorit, por nga ana tjetër mandatet e deputetëve të Partisë Socialiste nuk digjen dhe nuk do të digjen, sepse i kanë ato mandate për t’i dhënë fund zgjedhës së interesave të pushtetit familjar të Sali Berishës”, u shpreh Rama. Opozita zhvilloi dje mitingun e radhës në qytetin e Elbasanit, ku kërkoi sërish hapjen e kutive të votimit. Edhe pse kohës së keqe, qytetarët e Elbasanit dhe të qyteteve përreth kishin mbushur sheshin midis bashkisë së qytetit dhe prefekturës. Kreu socialist gjatë fjalës së tij i ftoi qytetarët të mos mungojnë në protestën e 20 nëntorit në kryeqytet. “20 nëntori është një ditë e shënuar në këtë përpjekje historike, për t’u ndarë nga një traditë e shëmtuar që arriti kulmin në 28 qershor.
Në 20 nëntor, jo vetëm që ju jeni këtu, por së bashku me fqinjët, miqtë e të afërmit, së bashku me të gjithë ata që mund të lajmëroni duhet të vini medoemos në Tiranë, në sheshin ‘Skënderbej’, për një manifestim të madh, në emër të lirisë”, u shpreh Rama. Kryetari socialist akuzoi kryeministrin Berisha se ka frikë nga hapja e kutive të votimit. “Hapja e kutive është çlirimi i shqiptarëve nga vetë Sali Berisha. Sali Berisha nuk do që ato kuti të hapen, sepse hapja e kutive të 28 qershorit i hap rrugën drejtësisë për të gjykuar lirisht dhe ndëshkuar me forcën e ligjit fajtorët për tragjedinë e Gërdecit dhe për grabitjen marramendëse të fondeve të rrugës së kombit”, tha Rama. Siç ka ndodhur dhe në mitingjet e tjera të protestës, edhe dje protestën e PS-së e kanë mbështetur dhe partitë e majta dhe të djathta opozitare. Kryetari i PLiDr, avokati i njohur Spartak Ngjela, protagonist në fjalimet e protestës, kërkoi largimin e Berishës në 20 nëntor dhe premtoi se pas “rrëzimit të Berishës për 7 ditë opozita do realizojë liberalizimin e vizave”. Duke folur përpara protestuesve në Elbasan, Ngjela theksoi se kërkohet transparenca për votën, të mbërthyera në kutitë e Berishës, që ai e ka cilësuar si vjedhësin më të madh të historisë shqiptare. “7 ditë pas rrëzimit të Sali Berishës, do të shikoni si do të realizohet liberalizimi i vizave. 20 nëntori është dita e ndarjes me të keqen. Kryeministri Sali Berisha është jo vetëm një kryeministër i paaftë, uzurpator, por është edhe një e keqe e madhe për Shqipërinë, që duhet ta shporrim sa më parë”, tha Ngjela.

Valentina Leskaj:“TVSH megafoni i qeverisë Berisha”
Kryetarja e grupit parlamentar socialist, Valentina Leskaj, në hapjen e mitingut të protestës dje në Elbasan tha se pushteti aktual i Sali Berishës po ngushton çdo ditë liritë e qytetarëve. “Ne sot jemi nën një regjim që kërkon të zgjasë mbijetesën e tij, duke ngushtuar hapësirat e qytetarëve. Sot Kryeministri dhe oborri i tij janë të vetmit që nuk e pranojnë krizën ekonomike. Ne duhet të jemi bashkë për t’i dhënë fund abuzimit me taksat tuaja, që u përdorën në fushatën e 28 Qershorit e që përdoren në Televizionin Publik, megafon i qeverisë. Ne duhet të jemi bashkë për t’i dhënë fund abuzimit me pronat shtetërore, të krijuara me mundin e djersën tuaj, që shiten e përdoren për interesa të qeveritarëve”, tha Leskaj.

Taulant Balla: “Berisha fsheh te kutitë aferat e tij”
Deputeti socialist akuzoi kryeministrin se po nuk hap kutitë për të mbuluar aferat e tij. “Pazari më i fundit është ai i tokës së qendrës së Tiranës, që ka deklaruar se do të shesë me 2 mijë euro m2, para të cilat do t’i fusë në xhepin e tij. Berisha nuk i hap kutitë, sepse do të shesë tokat shtetërore dhe do të legalizojë vilat e familjes”, tha Balla. “Berisha nuk pranon t’i hapë kutitë, sepse ministrat e tij janë në kërkim”. Deputeti socialist tha se nuk është në nderin e Elbasanit të ketë për deputet një ministër në kërkim, siç është ministri aktual i Brendshëm. “Gërdeci rëndon rëndë në përgjegjësinë dhe moralin e Sali Berishës”, theksoi Balla.

Skënder Hasa: “Qeveria e dalë nga vjedhja e votës”
Deputeti socialist i Elbasanit, Skënder Hasa, u shpreh në fjalën e tij se në 28 qershor vota u grabit dhe tjetërsua, pavarësisht se cili qe vullneti i zgjedhësve. “Një qeveri e dalë nga vjedhja e votës nuk sjell zhvillim”. Sipas Hasës, një qeveri e tillë pjell vetëm paaftësi dhe korrupsion, prova që po i tregon dukshëm qeveria aktuale. “Berisha ka frikë nga e vërteta në kutitë e votimit, prandaj nuk i hap ato”, u shpreh deputeti i PS-së. “Ne socialistët jemi të bindur në qëndrimin tonë për të mos shkuar në Parlament derisa të hapen kutitë”, theksoi Hasa, duke shtuar se me këtë qëllim nuk i shërbejnë vetëm Partisë Socialiste dhe opozitës, por gjithë shqiptarëve.

Shegush Ligori:
“Në kutitë është e ardhmja evropiane”Deputetja e Partisë Socialiste, Shegush Ligori, deklaroi se opozita është e vendosur në qëndrimin e saj për transparencën e zgjedhjeve dhe Berisha dhe maxhoranca duhet të hapin rrugën. “Në ato kuti është e ardhmja evropiane e Shqipërisë”, tha ajo, duke shtuar se Berisha dhe njerëzit e tij jo vetëm që duan të mbajnë vendin larg nga Evropa, por vazhdojnë të marrin vendime të jashtëligjshme, duke ushtruar presion edhe mbi gjykatën. “Na kërcënojnë se do të humbasim mandatet. Qesharakë! Ata kërkojnë të bëhemi pjesë e mashtrimit”, deklaroi deputetja Ligori. “Jemi qytetarë që duam ta kemi Evropën në Shqipëri. Ne refuzojmë të bëhemi noterë të krimit. Mandati ynë është i juaji, që na keni votuar”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›