“Shqipëria ta meritojë NATO-n”
BLEDAR HOTI
Ambasadori i SHBA-ve, Xhon Uidhers, e cilëson si të pajustifikueshme dhunën e ushtruar ndaj gazetarit Mero Baze dhe kërkon ndërhyrje urgjente ndaj këtij fenomeni. Këtë qëndrim ambasadori amerikan e mbajti në takimin e zhvilluar me përfaqësuesit e medias së shkruar e vizive me temë “Midis Lirisë së Dhunuar dhe Informalitetit”. “Ky incident ka implikime dhe pasoja më të mëdha sesa thjesht akti i këtij sulmi. Ngjarje të tmerrshme do të ndodhin në çdo kohë. Është fatkeqësi që këto ngjarje nuk mund të parandalohen përpara se të ndodhin, por prova për një shoqëri, prova për një qeverisje, prova për një komb është se si përgjigjet kur ndodhin ngjarje të tilla të papranueshme. I tillë është edhe ky moment sot për Shqipërinë. Shqipëria është një vend në prag të integrimit në disa nga institucionet më të rëndësishme, më të mirënjohura ndërkombëtare që ne kemi. Është tashmë anëtare e NATO-s dhe po përpiqet të jetë anëtare e Bashkimit Evropian. Shqipërisë i duhet të provojë se është e denjë për anëtarësinë në këto aleanca të mëdha”, deklaroi Uidhers. Diplomati amerikan shtoi se, “unë ju them sot se një provë e gatishmërisë suaj do të jetë se si institucionet e këtij vendi do t’i përgjigjen sulmit të kolegut tonë Mero Baze”. “Unë e përshëndes deklaratën e menjëhershme të Kryeministrit Berisha pas incidentit, në të cilën ai dënoi plotësisht dhe ritheksoi fort dhe në mënyrën më të qartë përkushtimin e Shqipërisë ndaj lirisë së shtypit dhe të shprehjes. Unë e përshëndes apelin e tij për hetim të plotë dhe të menjëhershëm të fakteve dhe që sistemi i drejtësisë në Shqipëri të kryejë procesin pa ndërhyrje. Unë përshëndes faktin që deklarata ishte e menjëhershme, e qartë dhe e vendosur”, theksoi Uidhers. Për ambasadorin amerikan në Shqipëri ka pasur incidente të tilla edhe më parë. “Ju e kujtoni që jo shumë kohë më parë, një koleg gazetar u sulmua në këtë vend, pak metra më tutje, nga deputeti Tom Doshi. Pavarësisht dënimit të gjithanshëm që iu bë në atë kohë, asgjë nuk ndodhi. Unë ju them sot se është e papranueshme që të mos ndodhë asgjë edhe këtë herë”, theksoi ambasadori. Për Uidhers personat që krijuan këtë ngjarje “ishin persona që kanë qenë objekt i artikujve të z.Baze, në të cilët ai ka qenë mjaft kritik mbi gjërat që ata mendohet se kanë bërë apo jo. Por, sado të acaruar të kenë qenë ata, sado të provokuar që ta kenë ndjerë veten, në demokraci nuk ka asnjë justifikim, në kurrfarë rrethanash apo kushtesh, përdorimi i dhunës për të mos lejuar shprehjen e lirë të fjalës së shtypit”. Ambasadori ka bërë të ditur në të njëjtën kohë se vetë dhe ambasada e SHBA-së ka qenë objekt i artikujve dhe editorialeve, ndonjëherë pozitivë e ndonjëherë kritikues, ku disa muaj më parë një gazetar i njohur shkroi një artikull mbi ambasadorët në Shqipëri, ku ai krahasonte veprimet e tij me ato të ambasadorëve të Bashkimit Sovjetik dhe Kinës gjatë periudhës së komunizmit. “Vetë Mero Baze ka shkruar artikuj për mua, për ambasadën, për politikën amerikane, të cilët kanë pasur një qëndrim të ashpër dhe na kanë vënë neve në provë. U trishtova kur gjatë disa bisedave private me qeveritarë të lartë pashë të njëjtin qëndrim. Më veçanërisht u shokova kur dëgjova mbrëmë në programin televiziv ‘Opinion’ z. Frangaj, i cili është i lidhur ngushtë me median dhe nga i cili mund të presësh shumë, që dukej se justifikonte faktin që në raste mendimesh të kundërta, dhuna na qenka e drejtë. Dua t’i them atij që nuk pajtohem me këtë mendim, por dua t’i them atij gjithashtu që, gjithsesi, unë i njoh atij të drejtën e të shprehurit të mendimeve me të cilat unë nuk bie dakord, në një kohë kur ai nuk duket se dëshiron t’u njohë të tjerëve të njëjtën të drejtë”, theksoi Uidhers. Diplomati amerikan e ka mbyllur diskutimin e tij me një apel ndaj medias në Shqipëri. “Mos u dorëzoni përpara kanosjes, mos u dorëzoni përpara kërcënimeve, mos u dorëzoni përpara dhunës. Ajo që ju keni në duar nuk është thjesht një profesion, nuk është thjesht një mënyrë për të fituar jetesën. Ju mbani në duar një nga parimet më të bekuara të demokracisë. Luftoni për të, sepse ia vlen. Ia keni borxh këtë profesionit tuaj, ia keni borxh këtë kombit tuaj dhe ia keni borxh këtë vetes tuaj”, theksoi ambasadori.
“Të shokuar nga ngjarja”
Përgjegjësja për Evropën në organizatën “Reporterë pa Kufij”, Elsa Vidal, shprehu në mikrofonin e “Deutsche Welle” shqetësimin e këtij organizmi për presionin që eksponentë të caktuar nga politika dhe biznesi në Shqipëri ushtrojnë mbi gazetarët e pavarur. “Ne mësuam për sulmin kundër gazetarit Mero Baze të hënën në Tiranë dhe jemi sigurisht jashtëzakonisht të shokuar nga ky agresion, pasi ai dëshmon ndjenjat e plotfuqishmërisë të disa biznesmenëve shqiptarë të afërt me pushtetin, të cilët refuzojnë me këmbëngulje të japin llogari për aktivitetet e tyre”, tha Vidal. Ajo shtoi se, “ne jemi plotësisht të siguruar nga dënimi unanim i këtij sulmi jo vetëm nga klasa politike, por edhe nga opinioni publik dhe nga kolegët tanë gazetarë, të cilët manifestuan refuzimin e tyre ndaj kësaj situate me protestat në rrugë. Kjo është dëshmi e solidaritetit. Ne shpresojmë që policia do të jetë shembullore dhe do të ndjekë personat përgjegjës të sulmit kundër gazetarit Baze”.
Kreu i Tatimeve: ARMO i pagoi detyrimet
Kompania ARMO ka rifilluar punën pasi i ka paguar detyrimet që ka patur ndaj shtetit. Kështu është shprehur dje në një deklaratë për mediat kreu i administratës tatimore, Artur Papajani. Në deklaratën e tij Papajani ka sqaruar marrëdhënien e administratës fiskale me kompaninë ARMO. Sipas tij, kontrollet në këtë kompani e të tjera po bëhen për t’i dhënë një stabilizim fiskal përfundimtar tregut të naftës. Ai theksoi se kompania ARMO ka paguar detyrimet tatimore si dhe ka pajisur pjesën më të madhe me matës dy prej kushteve të ndërprerjes së punës. Kjo ka bërë të mundur edhe zhbllokimin e punës në rafinerinë e vetme në vend. Në deklaratën e tij Papajani ka komentuar edhe ndryshimin e drejtuesit të tatimeve të rajonit të Fierit, ku edhe operon ARMO. Sipas tij, ndryshimet nuk kanë lidhje me këtë kompani, pasi ajo është nën administrimin e Drejtorisë së Tatimpaguesve të mëdhenj në Tiranë.
Avokatët e Taçit, padi për fyerje Bazes
Fatos Mahmutaj
Avokatët e biznesmenit Rezart Taçi paditën dje në pro-kurori gazetarin Mero Baze. Kallëzimi penal është dorëzuar në organin e akuzës në kryeqytet, nga avokatët Artan Hajdari dhe Maks Haxhia. Sipas padisë, përfaqësuesit ligjorë të Rezart Taçit kërkojnë që gazetari Mero Baze të hetohet për akuzat e “shpifjes” dhe “fyerjes” në dëm të biznesmenit 38-vjeçar. Në kohën kur avokatët e të arrestuarit padisin Mero Bazen, në Prokurorinë e Tiranës është regjistruar dhe po hetohet kallëzimi i bërë nga botuesi i gazetës “Tema”, i cili menjëherë pas ngjarjes së ndodhur në zonën e ish-bllokut në Tiranë, bëri padi penale ndaj biznesmenit dhe truprojave të tij. Sipas dy mbrojtësve ligjorë të Rezart Taçit, ka qenë gazetari Baze ai që ka provokuar grindjen e katër ditëve më parë te një lokal në zonën e ish-bllokut në kryeqytet, ndërsa klienti i tyre, ndodhej në një tavolinë tjetër në shoqërinë e badigardëve të tij. Avokatët thanë dje se Baze e kishte sharë dhe ofenduar Rezart Taçin, ndërsa klienti i tyre nuk kishte reaguar. “I vetmi moment kur Taçi kishte shkuar afër Bazes, ishte ai kur dy badigardë të biznesmenit kishin qëlluar gazetarin, ndërsa biznesmeni ishte afruar për t’i ndarë”, pretenduan avokatët. Më tej, në kallëzimin penal, mbrojtësit ligjorë pohuan se këtë fabul të ngjarjes e kishin të vërtetuar nga provat e shumta dhe të paktën 7 dëshmitë që kishin siguruar një ditë pas ngjarjes. Ata pranuan t’i vinin këto prova në dispozicion të drejtësisë për të hetuar dhe zbardhur ngjarjen. Avokatët sqaruan më tej se megjithëse Baze kishte sharë, fyer, ofenduar dhe shpifur ndaj klientit të tyre, në gazetën “TemA” dhe emisionin televiziv “Faktori Plus”, ai nuk kishte reaguar asnjëherë. Duke vazhduar në këtë mënyrë avokatët pohuan dje më tej se padia ndaj gazetarit ishte depozituar në prokurori vetëm për momentin e zënkës së mbrëmjes së martës, duke mos marrë në konsideratë artikujt apo veprimtarinë e Mero Bazes.
Biznesmeni në gjykatë
Rezart Taçi pritet të dalë sot rreth mesditës para Gjykatës së Tiranës për t’u njohur me masën e sigurisë vendosur nga togat e zeza tri ditë më parë. Burime nga prokuroria dhe nga gjykata, thanë se biznesmeni duhet të paraqitet sot në seancën gjyqësore ku do t’i komunikohet vendimi i dhënë në mungesë, për mbajtjen në “arrest me burg” pa afat deri në përfundim të hetimit. Rezart Taçi akuzohet nga prokuroria se në bashkëpunim me truprojat e tij tashmë të arrestuar, Irgen Selfo dhe Bledar Liro, kanë “goditur për shkak të detyrës”, gazetarin Mero Baze. Incidenti ndodhi në zonën e ish-bllokut në kryeqytet pasi gazetari dhe biznesmeni u ndodhën në të njëjtin lokal pak ditë më parë. Sipas prokurorisë, pronari i kompanisë “Taçi Oil” në bashkëpunim me truprojat e tij ka goditur gazetarin “për shkak të detyrës”. Mero Baze ka pohuar pas ngjarjes, se ishte goditur fillimisht nga biznesmeni dhe më pas nga truprojat e tij. Ndërkohë, menjëherë pas ngjarjes policia ndaloi dy truprojat ndërsa biznesmeni 38-vjeçar u arrestua pas vetëdorëzimit në polici, tri ditë pas ngjarjes.
Reagon Dhoma e Tregtisë
Dhoma e Tregtisë ka reaguar dje mbi incidentin e ndodhur mes sipërmarrësit Rezart Taçi dhe botuesit Mero Baze. “Ne jemi kundër çdo lloj abuzimi me lirinë e mediave, jemi kundër cenimit të integritetit të kujtdo e aq më tepër të sipërmarrësve, të cilët edhe për misionin që kanë marrë, shpesh bëhen pre e abuzimeve. Për këtë arsye, ne i bëjmë thirrje, por dhe inkurajojmë organet kompetente që të jenë sa më të drejta në zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe në vendimet që duhet të marrin”, është shprehur dje kryetari i Dhomës, Nikolin Jaka.
Masa për truprojat
Në një seancë të ndarë nga ajo për Rezart Taçin, Gjykata e Tiranës vendosi tri ditë më parë masën e sigurisë “arrest me burg” pa afat, ndaj dy truprojat e biznesmenit. Irgen Selfo dhe Bledar Liro u lanë në masën e arrestit me burg pas kërkesës së përfaqësuesit të Prokurorisë së Tiranës. Në seancën e zhvilluar në gjykatë, përmes avokatit të tij, Irgen Selfo pohoi se kishte qëlluar një person të cilin nuk e kishte njohur. Avokati i Selfos mohoi që klienti i tij të ketë vepruar për shkak të detyrës së Mero Bazes, duke thënë se konflikti ka qenë i momentit pasi truproja e kishte pyetur gazetarin “njihemi gjë” dhe ai ishte përgjigjur me një fyerje.
Apelimi i masës për Taçin
Avokatët e biznesmenit Rezart Taçi, kanë pohuar se do të apelojnë vendimin e dhënë nga Gjykata e Tiranës për mbajtjen në qeli deri në fund të hetimit të biznesmenit 38-vjeçar Rezart Taçi. Sipas avokatëve Maks Haxhia dhe Artan Hajdari, masa e sigurisë e gjykatës do të ankimohet në Gjykatën e Apelit të Tiranës të cilës do t’i kërkohet të vendosë një masë më të lehtë sigurie për të akuzuarin. Biznesmeni ka mohuar të ketë ushtruar dhunë ndaj gazetarit, duke thënë se ka qenë në lokalin ku ndodhi ngjarja, porse nuk mban përgjegjësi për veprimet e truprojave.
Akuzat për dhunë ndaj biznesmenit, reagojnë 1798 punonjësit e Taçit
TIRANE – Zëdhënësi i biznesmenit Rezart Taçi shpërndau dje një deklaratë për median në emër të 1798 punonjësve të “Armo”-s, “Taçi Oil International” dhe “Kuid”, në të cilën shprehet: “Indinjata për akuzat absurde me të cilat fatkeqësisht po përballet aksioneri dhe drejtuesi i kompanive të Grupit tonë Rezart Taçi”. Sipas deklaratës së shpërndarë për median dje nga zëdhënësi Milton Nushi: “Këto akuza nuk identifikohen aspak me figurën morale dhe formimin e tij si një person me integritet të lartë dhe jo-konfliktual”. Zyra e shtypit shprehet më tej në deklaratën e shpërndarë, duke thënë se: “E dënojmë me forcë këtë përbaltje të personit të tij dhe këtë goditje të qëllimshme që i bëhet Grupit më të madh industrial në Shqipëri”. Sipas zëdhënësit, suksesi 6-vjeçar i kompanisë “Taçi Oil” dhe më pas i kompanisë “Armo”, është kontribut i drejtpërdrejtë i Rezart Taçit dhe i vlerave të tij njerëzore e sipërmarrëse. “Me keqardhje konstatojmë që këto vlera humane dhe intelektuale të tij, po përpiqen t’i përbaltin segmente të caktuara për interesat e tyre të ulëta”, vijon më tej deklarata. Sipas saj, bazuar në parimin që shtypi është informues dhe jo shpifës, konfirmojmë që çdo akuzë e paraqitur këto ditë dhe në të shkuarën mbi kompaninë tonë dhe Rezart Taçit, janë absolutisht të pabazuara. “Ne jemi këtu sot për të shprehur besimin tonë se organet e drejtësisë do të marrin vendimin e duhur dhe nuk do të ndikohen nga presioni i grupeve të interesuara për të goditur dhe dëmtuar biznesin dhe mbijetesën e familjeve tona”, përfundon deklarata.