E Martë, 3 Nëntor 2026

Basha mohon Prokurorinë, akuzon për komplote antishqiptare dhe lojëra politike

Ish-ministri i Transporteve i ka klasifikuar të gjithë si vegla politike të Edi Ramës. Ministri i Jashtëm “fshihet” pas vendimit të Gjykatës për pezullimin e hetimeve

Habjon Hasani

Tiranë - I pandehuri i dosjes “Rrëshen-Kalimash”, Lulzim Basha, iu përgjigj dje interesit të medias për këtë çështje nga salla e konferencave të Ministrisë së Jashtme, të cilën ai vetë e drejton. Pasi deklaroi se do të shkonte të paraqitej në Prokurori, e pasi nëpërmjet avokatit të tij ai e quajti si joligjor veprimin e Prokurorisë (një ditë më vonë) duke refuzuar të shkojë, Basha mbajti një fjalim të gjatë para kamerave dje, duke detajuar dhe manovratorët politikë, por edhe komplotuesit antishqiptarë, që sipas ministrit të pandehur, kanë orkestruar gjithçka në kurriz të vendit dhe në kurrizin e tij. Sipas Bashës, Prokuroria, media dhe gjithë faktorët që kanë bërë prezente dhe publike abuzimet me ndërtimin e rrugës “Rrëshen Kalimash”, janë dirigjuar nga kreu i opozitës, Edi Rama. Basha e quajti dje Ramën “pinjoll të Stefan Mugoshës” dhe shtoi se projekti i rrugës komprometon rëndë të ardhëm politike të tij. “Socialistët mashtruan shqiptaret e Kosovës për rrugën duke u fshehur pas taksës. Rruga nuk duhej të ndërtohej sepse portet shqiptare nuk mund të bëheshin portet më të rëndësishme në Ballkan, sepse rrugët e Kosovës për në Europë duhej të kalonin nëpër Serbi, sepse tregu i trevave shqiptare nuk duhej unifikuar”, - tha Basha.
Akuzat dhe Gjykata
Më tej ministri i Jashtëm vijoi akuzat për komplotin ndaj tij dhe ndaj rrugës, duke implikuar dhe organin e akuzës, që sipas tij, ka vendosur stemën e këtij institucioni në deklaratat dhe akuzat e Edi Ramës, duke u dhënë atyre vlerë ligjore. Por duket se ministri ka bërë dje një gabim fatal kur e akuzoi opozitën se për katër vite nuk e financoi projektin e kësaj rruge. Në fakt, Basha akuzohet pikërisht sepse urdhëroi arbitrarisht nisjen e punimeve pa projekt dhe sot e kësaj dite Ministria e Transporteve nuk ka bërë publik asnjë projekt për këtë rrugë! Dje ministri i Jashtëm kishte një përgjigje. Një përgjigje për të gjithë ata që do të pyesnin se përse nuk u paraqit në prokurori sikurse vetë ai e kishte premtuar me bujë. Ministri deklaroi dje “se bazuar në vendimin e Gjykatës së Tiranës, që urdhëroi ndërprerjen e hetimeve nga ana e prokurorisë, nuk mund të ndërmerrte asnjë akt”. Madje Basha u rikujtoi të gjithëve se vetë kryeprokurorja Ina Rama kishte deklaruar se nuk do ndërmerrej asnjë veprim hetimor në respekt të vendimit të gjykatës, porse do ta apelonte atë vendim.
Loja me Gjykatën
Për ministrin e Jashtëm “Prokuroria e theu këtë premtim dhe shkeli ligjin, pasi Gjykata kishte vendosur ndërprerjen e hetimeve për çështjen në tërësi dhe jo vetëm për të pandehurin Toma dhe ish-të pandehurin Teliti”. Por ministri nuk pranoi që këto pretendime t’i ballafaqonte me prokurorët. Në fakt, Prokuroria e ka bërë të qartë pozicionin e saj dhe ka sqaruar se “nuk është ndërmarrë asnjë veprim hetimor pas afatit që Gjykata e çmoi si të pavlefshëm. Por Prokuroria kishte të gjitha të drejtat të vlerësonte faktet e mbledhura nga hetimet brenda afatit ligjor, e pikërisht nga këto fakte zoti Basha u gjet fajtor për disa shkelje”. Kësisoj Prokuroria mund ta shpallte të pandehur zotin Basha, pasi asaj iu ndalua nga Gjykata veçse të hetonte më tej, por asnjë vendim gjykate nuk e ka ndaluar Prokurorinë të ndërmarrë veprime procedurale në bazë të hetimeve që i njihen (nga vetë gjykata) si ligjore dhe konform frymës kushtetuese.

Akuzat publike të ministrit Basha në konferencë

Projekti i sabotuar!
Për segmentin “Rrëshen-Kalimash”, më të gjatin, më të vështirin dhe më vendimtarin për suksesin e këtij projekti, gjatë 8 viteve qeverisje socialiste nuk pati vullnet as për të përfunduar projektin teknik. Një projekt i tillë do të kushtonte vetëm 3 apo 4 milionë euro, por mungesa e tij do ta bllokonte ndërtimin e rrugës edhe të paktën 4 vjet të tjerë. Mungesa e projektit teknik për segmentin “Rrëshen-Kalimash” është prova më e qartë e mungesës së vullnetit politik të 8 viteve qeverisje socialiste.

Komploti serb!
Pak pas fillimit të punimeve, Edi Rama nisi sulmin e egër ndaj këtij projekti të shekullit. I ndërgjegjshëm se përfundimi i rrugës “Durrës-Kukës” komprometon rëndë të ardhmen e tij politike, ky pinjoll i denjë i Dushan Mugoshes dhe Koçi Xoxes mori stafetën nga ata që për 8 vjet penguan me çdo kusht ndërtimin e rrugës dhe mobilizoi mercenarët e tij për të nxirë dhe përbaltur këtë projekt gjigant. E premtoi partia e Edi Ramës, por çdo ditë, çdo javë, çdo muaj, për 8 vjet me radhë, mashtroi dhe gënjeu. Madje, me një cinizëm ekstrem u vendosi shqiptarëve edhe një taksë, të cilën edhe e mblodhi, por askush deri sot nuk e di se si e përdori.

Stema e Prokurorisë!
Me një sulm të pastër politik, mercenarët e Edi Ramës dhe ndokujt tjetër brenda Prokurorisë morën akuzat e fabrikuara nga zyrat e Edi Ramës dhe i riprodhuan ato, tashmë me stemën e Prokurorisë. Duke injoruar tërësisht faktin se për çdo hap të ndërmarrë në drejtim të ndërtimit të segmentit “Rrëshen-Kalimash” ka një vendim të Këshillit të Ministrave me forcën e ligjit, Rama bën klounin e cirkut, duke akuzuar se ministri i Transporteve ka shpërdoruar detyrën, pasi konsulenti ndërkombëtar i përzgjedhur nga një listë e kompanive konsulente të Bankës Botërore, të sugjeruara nga Banka Botërore pranë autoriteteve shqiptare dhe të prokuruar me vendim të Këshillit të Ministrave.

30 Nentor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›