E Diel, 1 Nëntor 2026

LSI-ja përkujton “29 Nëntorin”, Meta: “Beteja për çlirimin e Shqipërisë vazhdon”



Lideri i LSI-së, Ilir Meta, së bashku me anëtarë të kryesisë së LSI-së dhe plot të reja dhe të rinj të Lëvizjes Rinore për Integrim, vendosën kurora me lule pranë monumentit “Nënë Shqipëri”. Pasi përshëndeti dhe u takua me shumë veteranë të pranishëm te Varrezat e Dëshmorëve të Kombit dhe u përul me nderim përpara monumentit “Nënë Shqipëri”, Meta bëri edhe një urim për të gjithë shqiptarët përmes mediave të pranishme.
“Në këtë ditë të madhërishme, dua të shpreh në emër të Lëvizjes Socialiste për Integrim mirënjohjen më të thellë për të gjithë ata që luftuan dhe sakrifikuan edhe jetën e tyre për çlirimin e vendit dhe njëkohësisht për të gjithë veteranët, për të gjitha familjet e tyre dhe familjet e dëshmorëve të kësaj lufte”, - është shprehur Meta, ndërsa theksoi se LSI-ja vazhdon të luftojë për votën e lirë si një parim i demokracisë. “Njëkohësisht i siguroj që Lëvizja Socialiste për Integrim mbështetet fort te vlerat e luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, për të luftuar për progresin e vendit tonë, të popullit tonë dhe për t’i dalë gjithmonë në krah mbrojtjes së lirisë së të gjithë qytetarëve shqiptarë. Edhe lufta jonë për votën e lirë është një përpjekje e vazhdueshme për të mos lejuar Shqipërinë që të pushtohet edhe nga shqiptarë të papërgjegjshëm, të cilët nuk arrijnë ta kuptojnë dot, edhe pas 18 vjetësh demokraci, që çdo shqiptar duhet të jetë zot i vetes së tij”, - është shprehur Meta. Ai ka vënë në dukje mungesën e seriozitetit të shtetit shqiptar për mungesën e një protokolli zyrtar për festimin e Ditës së Çlirimit, datës 29 Nëntor.

e

30 Nentor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›