E Diel, 1 Nëntor 2026

Avokati i Popullit: Policia vepron ne menyre jo ligjore duke marre patentat

Dobjani, rekomandim për Policinë Rrugore pas ankesave të shoferëve.

Laureta Rryçi

Tiranë - Policia Rrugore shpesh herë shoferëve u heq në mënyrë të padrejtë patentën. Në këtë përfundim kanë arritur komisionarët e Avokatit të Popullit pas një inspektimi të kryer në kryeqytet. Gjithçka duket se ka nisur pas dhjetëra ankesave të qytetarëve jo vetëm nga Tirana. Sipas tyre, në jo pak raste janë ndier të habitur kur u është marrë patenta për gjoba që nuk kishin dijeni se i kishin marrë. Lidhur me këto shqetësime, Dobjani ka urdhëruar inspektime për të parë në realitet si qëndronte problemi. Burime zyrtare pranë Avokatit të Popullit pohuan dje se Dobjani i është drejtuar me një shkresë zyrtare drejtorit të Përgjithshëm të Policisë Ahmet Prençi dhe drejtorit të Policisë Rrugore, Ajet Ibro, duke dhënë sugjerime konkrete që mos të përsëritet shkelja e ligjit.
Ankesat
“Në institucionin tonë kanë ardhur disa ankesa nga qytetarë të ndryshëm, të cilët ankohen ndaj Komisariatit të Policisë Rrugore Tiranë dhe Seksioneve të Policisë Rrugore në rrethe të ndryshme të vendit”, - thuhet në rekomandimin e Dobjanit. Më tej shpjegohet se në ankesat e tyre ngrihet shqetësimi lidhur me: radhë të gjata në sportele për të paguar gjobat dhe indiferencën e punonjësve të policisë për t’u shërbyer qytetarëve; vendosja e gjobave në mungesë dhe të padrejta nga policët rrugorë ndaj qytetarëve; bllokimi i dokumenteve drejtuesve të mjeteve për shkak të mospagimit të gjobave të vendosura atyre.
Inspektimi
Për verifikimin e shqetësimeve të ngritura nga qytetarët, ditët e fundit një grup pune i Avokatit të Popullit bëri inspektim në Komisariatin e Policisë Rrugore Tiranë. Gjatë inspektimit u bë këqyrja e ambienteve të punës të këtij komisariati në të cilat bëheshin verifikimet e gjobave dhe pagesat e tyre, si dhe u takuan e pyetën disa punonjës të policisë rrugore, disa qytetarë dhe punonjëset e Postës Shqiptare, të cilat vilnin lekët e gjobave. Nga inspektimi i bërë rezultoi se në sportele nuk kishte radhë të gjatë dhe se punonjësit e policisë, ndonëse në kushte jokomode, kryenin detyrën në mënyrë korrekte. Gjithashtu gjatë këtij inspektimi është konstatuar se shqetësimi për vendosjen e gjobave nga policët rrugorë në mungesë dhe pa dijeninë e drejtuesve të mjeteve ishte evident. “Nga ana jonë u takuan disa qytetarë, të cilët kishin raste të tilla. Nga verifikimet e bëra rezultoi se drejtuesve të mjeteve iu vendosen gjoba në mungesë të tyre për shkelje të dispozitave të Kodit Rrugor”, - shpjegohet në rekomandim. Kjo për shkak se procesverbali i konstatimit të kundërvajtjes nga agjenti verifikues i policisë rrugore mund të mos gjendej nga drejtuesi i mjetit për arsye nga më të ndryshmet, si atmosferike p.sh., mund ta largonte era ose shiu nga vendi i vendosjes prej agjentit, mund të merrej nga ndonjë fëmijë endacak apo në raste kur drejtuesi i mjetit menjëherë pas shkeljes largohej me mjetin pa u kontaktuar me agjentin

Shkelja
Sipas Avokatit të Popullit, mosnjoftimi i shkeljeve të konstatuara në mungesë të drejtuesit të mjetit nga ana e policisë vjen në kundërshtim me Nenin 199 të Kodit Rrugor, në të cilin janë parashikuar detyrimet e organeve të policisë rrugore për të bërë njoftimin e shkeljes kundërvajtësit. Në fakt, kjo dispozitë njihet nga drejtuesit e policisë rrugore, por moszbatimin e saj ata e justifikonin me mungesën e infrastrukturës, si të regjistrit të adresave, ndryshimin e adresave të drejtuesve të mjeteve, etj. Kodi Rrugor e ka përcaktuar si detyrim të policisë rrugore njoftimin në të tilla raste dhe në të njëjtën kohë ka parashikuar edhe mënyrën e njoftimit nëpërmjet policisë rrugore, korrierët komunalë, postës, etj. Gjithashtu, Kodi Rrugor ka parashikuar edhe subjektin ndaj të cilit do të ngarkohen shpenzimet e verifikimit dhe të njoftimit në këto raste, i cili është kundërvajtësi. Si zgjidhje, Dobjani ka sugjeruar se për realizimin e njoftimit kërkohet organizim i punës nga strukturat drejtuese të Komisariatit të Policisë Rrugore dhe një bashkëpunim më i mirë me Drejtoritë Rajonale të Shërbimit të Transportit Rrugor. Nga ana tjetër, në Pikën 6 të Nenit 199 të Kodit Rrugor, është parashikuar edhe pasoja juridike për mosbërjen e njoftimit brenda periudhës kohore të përcaktuar në këtë ligj. Pra, në të tilla raste, subjekti (drejtuesi i mjetit që ka bërë shkeljen) nuk është i detyruar të paguajë gjobën, d.m.th. ai përjashtohet nga pagimi i gjobës administrative. Mirëpo praktikisht këto gjoba vilen në kundërshtim me ligjin.

Kundërshtitë sipas Dobjanit :

“...Ka disa raste që drejtuesve të mjetit, të cilët nuk kishin paguar gjobën administrative, iu bllokoheshin dokumentet e mjetit derisa bëhej pagesa e gjobës. Ky veprim i punonjësve të policisë është i pambështetur në ligj. Në Nenin 203 të Kodit Rrugor është parashikuar e drejta e policisë rrugore që, për vjeljen e gjobave të cilat nuk janë paguar brenda afatit dhe kur ajo nuk mund të nxirret nga të ardhurat e shkelësit, të bëjë ndalimin e mjetit dhe jo të dokumentacionit të tij.

Ka raste, ndonëse të pakta, që drejtuesit e mjeteve, megjithëse kishin paguar gjobën e vendosur ndaj tyre, kapeshin nga policët rrugorë dhe u bllokoheshin dokumentet e automjetit me pretendimin se figuronin në kompjuter që nuk kishin paguar gjobën. Ky shqetësim krijohej për faktin se rakordimi i pagimit të gjobave ndërmjet Policisë Rrugore dhe Postës Shqiptare, me të cilën organet e policisë kishin lidhur marrëveshje për vjeljen e gjobave, bëhej me vonesë nga Posta që shkonte deri në disa ditë.

Nga qytetarët e kontaktuar, të cilët ndodheshin në Komisariatin e Policisë Rrugore Tiranë, u ngrit edhe shqetësimi lidhur me faktin se për pagimin e gjobave të prapambetura ishte caktuar vetëm një vend (kioskë) pranë këtij komisariati dhe se ata nuk mund të paguanin në zyrat e tjera të Postës. Caktimi vetëm i një vendi (sporteli) për pagimin e këtyre gjobave shkaktonte herë pas here radhë të gjata dhe ndërkohë humbje kohe e shpenzime të tjera për qytetarët.

Rekomandimi:

“Marrja e masave të menjëhershme organizative për zbatimin nga organet e policisë rrugore të detyrimeve që rrjedhin nga Neni 199 i Kodit Rrugor lidhur me njoftimin e shkeljeve kundërvajtësve në mungesë.

Ndërprerje e menjëhershme e veprimeve arbitrare të punonjësve të policisë rrugore që kanë të bëjnë me bllokimin e dokumentacionit të mjetit për drejtuesit që nuk kanë paguar gjobën administrative dhe zbatimin ndaj tyre të të drejtave dhe detyrimeve që rrjedhin nga Neni 203 i Kodit Rrugor lidhur me vjeljen e gjobave.

Bashkëpunim më të mirë me Postën Shqiptare, duke rishikuar marrëveshjen e lidhur për këtë qëllim, për rakordimin e shpejtë ndërmjet policisë dhe postës lidhur me pagimin e gjobave. Në këtë kuadër të shikohet mundësia e ngritjes së një sistemi kompjuterik të përbashkët, i cili do të shkurtonte kohën e rakordimit. Gjithashtu të kërkohet prej Postës që vjelja e gjobave të prapambetura të bëhet jo vetëm në një zyrë të vetme, por edhe në zyrat e tjera të saj.

30 Nentor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›