“Mjaft” shprehet kundër ndërtimit të tre TEC-eve në Porto-Romano
Lëvizja “Mjaft” është shprehur kundër ndërtimit të tre TEC-eve nga qeveria shqiptare në Porto-Romano. Kryetarja e lëvizjes “Mjaft”, Erisa Spiropali, gjatë një deklarate për shtyp u shpreh se qeveria nuk po paralajmëron publikun për rrezikun e këtyre vendimeve që po merr për mjedisin shqiptar. “Lëvizja ‘Mjaft’ paralajmëron publikun mbi marrëzinë e radhës të qeverisë shqiptare. Në rrugën e katandisjes së Shqipërisë në një kosh mbeturinash dhe koloni mjedisore të fqinjëve, me arrogancë dhe prepotencë, pa asnjë transparencë mbi pasojat dhe rreziqet, qeveria po përgatit ndërtimin e tre TEC-eve me qymyr në Porto-Romano, dy TEC-eve me naftë në Lezhë dhe ngritjen e një numri fabrikash çimentoje në aksin veri-perëndimor shqiptar. Vetëm njëri nga TEC-et me qymyr, 1600 MW që parashikohet të ndërtohet në Porto-Romano, sipas të gjitha studimeve të kryera parashikohet të lëshojë në ajër më tepër dioksid karboni se sa lëshojnë të gjitha burimet ndotëse të derisotme anembanë Shqipërisë”, - është shprehur Spiropali. Sipas saj, nuk është bërë asnjë studim serioz mjedisor dhe nuk është dhënë asnjë informacion për publikun lidhur me normat e ndotjeve. Më tej, ai bën të ditur se vizita e Berluskonit më 2 dhjetor ka të bëjë me nënshkrimin e kontratës për këtë TEC. Ndërkohë që publiku shqiptar ende nuk ka marrë asnjë informacion mbi këtë investim dhe pasojat e tij. Lëvizja “Mjaft” më tej u bën thirrje të gjithë banorëve të këtij vendi që të angazhohen dhe organizohen në komunitetet e tyre për të kundërshtuar dhe penguar këtë katastrofë mjedisore.
30 Nentor 2008