E Hënë, 2 Nëntor 2026

Basha në Këshillin e Imunitetit: Jam gati të hetohem

Këshilli i Imunitetit dhe Mandateve u mblodh paraditen e sotme për të marrë në shqyrtim kërkesën e Prokurorit të Përgjithshëm për heqjen e imunitetit të deputetit Lulzim Basha.
Në punimet e Këshillit ka marrë pjesë edhe vetë Ministri Basha. Ai ka deklaruar se është gati të hetohet pasi në asnjë rast nuk ka abuzuar me pushtetin.“Nuk kam asnjë lidhje apo njohje me Ekoris Group. Ajo është përzgjedhur nga ekspertë ndërkombëtarë dhe kontrata është në përputhje me ligjin”, deklaroi Basha.

Sipas tij nuk qëndron as pretendimi i Prokurorisë për mospagimin e tatimeve dhe detyrimeve nga Bechtel, pasi ajo është ndër tatimpaguesit më të mëdhenj në vendin tonë. “Deri më tani Bechtel ka derdhur në arkën e shtetit 40 milionë dollarë”, sqaroi Ministri i Transporteve.

Ndërkaq, deputetët e majtë në Këshill, Petro Koci dhe Albert Caci i kërkuan Bashës që të paraqitet në Prokurori dhe t’i japë atje sqarimet e nevojshme.

Sipas Rregullores së Kuvendit në përfundim të shqyrtimit, Këshilli i Imunitetit dhe Mandateve, brenda 4 javëve, harton një raport për në seancë plenare, në të cilin rekomandon rrëzimin ose miratimin e dhënies së autorizimit për fillimin e ndjekjes penale ndaj deputetit. Nëse brenda këtij afati Kuvendi nuk merr vendim për fillimin ose jo të ndjekjes penale të një deputeti, atëherë kërkesa e kryeprokurorit konsiderohet e rrëzuar.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›