Topalli në Gjenevë: “Pavarësia e Kosovës është e pakthyeshme”
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli ka bërë thirrje gjatë fjalës së mbajtur në në Konferencën Botërore të Kryetarëve të Parlamenteve për njohjen e pavarësisë së Kosovës nga sa më shumë vende të botës. “Shqiptarët janë europianë. Rajoni i Ballkanit ku jetojnë shqiptarët ka kaluar shumë luftëra. Kosova, 2 vjet pas shpalljes së Pavarësisë po progreson shumë shpejt në një rajon stabël e në paqe. Shfrytëzoj rastin për të ftuar të gjithë ato vende, që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës ta njohin shtetin më të ri të botës. Ai është një realitet i pakthyeshëm”, - tha kryetarja e Kuvendit në fjalën e saj në Konferencën e tretë Boterore e Kryetarëve të 261 parlamenteve nga 186 vende. Kjo konferencë globale që po zhvillohet në në Pallatin e Kombeve të Bashkuara në Gjenevë të Zvicrës konsiderohet një eveniment unik i fokusuar në rolin thelbësor të institucioneve legjislative në politikën botërore dhe marrëdhënien e tyre me Organizatën e Kombeve të Bashkuara. Topalli e përqëndroi fjalën e saj në realitetin europian të Shqipërisë ndërsa ftoi vendet që ende s’e kanë njohur Kosovën, ta njohin shtetin e ri që po progreson shumë shpejt. “Konferenca e tretë e kryetarëve të 261 parlamenteve nga 186 vende dhe të mijëra deputetëve të botës është një ngjarje madhore. Ashtu siç thuhet në projektdeklaratën, të cilën unë e mbështes:
Parlamentet tona janë istitucione kombëtare që mbartin historinë dhe trashegiminë kombëtare të secilit prej vendeve tona. Rajoni i Ballkanit ku jetojnë shqiptarët ka kaluar shumë luftëra. Shqiptarët e Shqipërisë kanë vuajtur për gjysmë shekulli diktaturën më të egër. Shqiptarët në Kosovë kanë histori shtypje e genocidi. Sot, vendi im, Shqipëria, pas rrëzimit të komunizmit 20 vite më parë është transformuar në mënyrë rrënjësore.
Ndërsa Kosova , 2 vjet pas shpalljes së Pavarësisë po progreson shumë shpejt në një rajon stabël e në paqe. Shfrytëzoj rastin për të ftuar të gjithë ato vende, që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës ta njohin shtetin më të ri të botës. Ai është një realitet i pakthyeshëm. Shqiptarët në Ballkan janë të vendosur të kontribuojnë në paqen e stabilitetin e Rajonit. Më shumë se askush tjetër, ne, shqiptarët të ndarë në katër shtete, jemi te vetëdijshëm se Europa dhe integrimi janë progresi dhe e ardhmja jonë”, është shprehur Topalli.
21 Korrik 2010