Basha në Prokurori për rrugën Durrës-Kukës
TIRANE-Akuzat kanë të bëjnë me periudhën kur kryediplomati shqiptar mbante postin e ministrit të Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit afro dy vjet më parë.
Prokurorët e dosjes “Durrës- Kukës” do ti komunikojnë sot Lulzim Bashës akuzën e shpërdorimit të detyrës” të kryer në bashkëpunim me ish-drejtorin juridik të Ministrisë së Transporteve, Andi Toma në lidhje me projektimin, tenderimin dhe deklarimin e fituesve për ndërtimin e segmentit rrugor Rrëshen-Kalimash, (pjesë e autostradës “Durrës- Kukës) duke i shkaktuar shtetit një dëm shumë të madh financiar.
Dyshohet se shuma e abuzuar shënon shifrën e 230 milionë eurove, afro një e katërta e kostos së deritanishme të veprës.
Nëpërmjet përfaqësuesit të tij ligjor, avokatit Zef Nikaj, Lulzim Basha, aktualisht ministër i Jashtëm, konfirmoi një ditë më parë se do të ishte i pranishëm sot në Prokurori, ashtu sic kishte nënshkruar fletëthirrjen.
Nga ana e tij Ministri Lulzim Basha i ka hedhur vazhdimisht poshtë akuzat duke i quajtur ato si politike. Ky qëndrim është mbështetur edhe nga avokati. Në deklaratën e bërë publike nga avokati Zef Nikaj, të hënën në mbrëmje, kritikohen veprimet e fundit të Prokurorisë.
Në të ndër të tjera thuhet se "në tërësinë e tyre këto veprime tregojnë abuzim me pushtetin ligjor nga ana e Prokurorisë së Përgjithshme si dhe shkelje të dispozitave të Kushtetutës së Shqipërisë që mbrojnë dhe garantojnë të drejtat dhe liritë e individit për një proces të rregullt ligjor".
Hetimet për abuzimet me fondet e Rrëshen-Kalimash nisën ne mars të vitit 2007. Prokuroria e Tiranës ngriti akuzën e shpërdorimit të detyrës për ish-zv/ministrin e Transporteve, Armand Teliti, ish-drejtorin juridik të këtij dikasteri, Andi Toma, ish-drejtoreshën e përgjithshme të Rrugëve, Lejla Saraçi. Për shkak se u gjetën prova që implikonin Lulzim Bashën, dosja u transferua në Prokurorinë e Përgjithshme. Ina Rama i kërkoi kuvendit heqjen e imunitetit të deputetit për Bashën, me qëllim nisjen e hetimeve. Kuvendi votoi pro kërkesës së kryeprokurores Rama. Tani pas gjashtë muajsh, Teliti dhe Saraçi janë liruar nga akuzat. Me Drejtësinë do të përballet ish-ministri i Transporteve, Basha dhe Andi Toma.
Opozita shqiptare vazhdimisht e ka quajtur ndërtimin e rrugës Durrës - Morinë një aferë të pastër korrupsioni dhe e ka cilësuar zotin Basha si një nga personat më të rëndësishëm të implikuar në këtë aferë. Ende nuk është e qartë nëse ndaj Bashës do të merret ndonjë masë sigurie për kryerjen e mëtejshme të hetimeve. Por, si në rastin e heqjes se imunitetit do të duhet që Prokuroria t'i drejtohet parlamentit edhe për këtë rast.
(s.g/BalkanWeb)