“Zamir Poda”, sot në Gjykatën Kushtetuese
TIRANE-Gjykata Kushtetuese pritet të nisë sot shqyrtimin e kërkesës së 28 deputetëve socialistë dhe të PSD-së për pezullimin e ekzekutimit të vendimit të Kuvendit, i cili rrëzoi kandidaturën e Zamir Podës si anëtarin më të ri të Gjykatës së Lartë, deri në dhënien e vendimit përfundimtar për këtë çështje. Në objektin e saj, kërkesa e deputetëve opozitarë parashtron “interpretimin e pikës 1 të nenit 78 të Kushtetutës për shumicën e kërkuar në marrjen e vendimeve nga Kuvendi, përfshirë dhe dhënien ose jo të pëlqimit për dekretet e Presidentit të Republikës dhe për rrjedhojë, interpretimin e pikës 1 të nenit 55 të rregullores së Kuvendit të dalë në zbatim të tij”. Gjithashtu, deputetët e opozitës kërkojnë shfuqizimin si antikushtetues të vendimit të Kuvendit të Shqipërisë nr. 190, datë 16.06.2008 “Për mosdhënien e pëlqimit për emërimin e zotit Zamir Pode si anëtar i Gjykatës së Lartë” dhe vleftësimin e bazuar në Kushtetutë dhe në fakte të rezultatit dhe vendimit të shpallur në seancë plenare, menjëherë pas procesit të votimit nga sekretari i Kuvendit për procedurat dhe votimet për “dhënien e pëlqimit të Kuvendit për emërimin e zotit Zamir Poda si anëtar i Gjykatës së Lartë”. Në argumentimin e tyre, deputetët opozitarë i referohen procedurës së ndjekur nga Kuvendi dhe deklaratës së kryetarit të komisionit të votimit, Arjan Madhi, i cili pasi numëroi votat për Zamir Podën, e shpalli atë fitues me 65 vota, duke marrë në këtë mënyrë dhe pëlqimin e Kuvendit.
(d.b/BalkanWeb)