E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kodi Zgjedhor, sot protesta tek "Skënderbej”

Nga Darina Tanushi
LSI, e mbështetur edhe nga PDK, PS 91, PAD, nis kështu serinë e protestave të mëdha, siç u deklarua nga Ilir Meta, pas daljes nga greva e urisë. 

TIRANE-Mijëra qytetarë nga e gjithë Shqipëria do të mblidhen sot në sheshin “Skënderbej” për të manifestuar në mbrojtje të votës së lirë. LSI, e mbështetur edhe nga PDK, PS 91, PAD, nis kështu serinë e protestave të mëdha, siç u deklarua nga Ilir Meta, pas daljes nga greva e urisë. Nuk dihet nëse në mbështetje të këtyre reagimeve do të jetë edhe PDS, e drejtuar nga Paskal Milo, i cili ka thënë se vendimin e merr sot paradite kryesia e partisë. Burimet nga LSI, e cila është edhe partia kryesore e organizimit të manifestimit, bëjnë të ditur se banderola tepër të mëdha do të shquhen mes turmës së madhe të njerëzve. Shumica e këtyre banderolave do të mbajnë mesazhe të shkruara në anglisht dhe në shqip. Po kështu bëhet e ditur se banderolat e shkruara në anglisht do të fotografohen dhe do të përdoren për t’i dërguar në institucionet ndërkombëtare jashtë vendit. Fillimisht, manifestuesit do të grumbullohen në sheshin “Skënderbej”, ku do të flasin edhe krerë të partive pjesëmarrëse, por edhe njerëz nga shoqëria civile. Më pas, masa e njerëzve pritet të vijojë itinerarin drejt sheshit “Nënë Tereza”, për të ndaluar për pak minuta para Kryeministrisë e në fund edhe para Presidencës. Shansi i fundit është mosdekretimi i Kodit Zgjedhor nga kreu i shtetit, sipas drejtuesve të LSI-së, por shumë pak gjasa ka që kjo të ndodhë, ndërsa ai kaloi me shumicë votash dhe me konsensus të dy forcave politike kryesore në Kuvend. Ky është manifestimi i parë i madh që organizohet nga LSI, PDK, PS 91, që pas grevës së urisë, për të mbrojtur manipulimin e zgjedhjeve nga dy partitë, PS e PD dhe votën e lirë. Kreu i LSI-së, Meta paralajmëroi se greva ishte etapa e parë, ndërsa protestat masive jo vetëm në Tiranë, por në të gjithë vendin dhe jashtë tij do të pasojnë në etapën e dytë. Meta lajmëroi gjithashtu se ishte në kontakt me dy agjenci të huaja, një amerikane dhe një evropiane, për të gjetur mënyrën e paralizimit të manipulimit të zgjedhjeve. Madje, një ditë më parë ai ishte në Bruksel. Për vizitën e tij nuk pati ndonjë njoftim zyrtar, por mësohet se Meta ka pasur takime me zyrtarë të lartë evropianë. Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Petrit Vasili tha dje se “misioni i protestës dhe aksionit tonë politik është ndërgjegjësimi mbarëpopullor për çfarë po ndodh në Shqipëri”. “Përkundrejt miratimeve të mbyllura të dyshes neodiktatoriale PD-PS në Parlament dhe shpërdorimit të pacipë që po u bëhet votave të deputetëve, ju shikoni një masë jashtëzakonisht të madhe e në rritje të mijëra e mijëra qytetarëve në të gjithë vendin”, tha Vasili.

(d.b/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›