E Shtunë, 31 Tetor 2026

Basha në Shkodër: Merren masat e para për përmbytjet

Mbledhja e drejtuar nga ministri i Brendshëm, Lulzim Basha ka vendosur ngritjen dhe funksionimin e Komisioneve të Emergjencave Civile në njësitë vendore të Qarkut Shkodër, të cilat do të koordinojnë strukturat nën juridiksionin e tyre për evakuimin e komunitetit.

Gjithashtu, është vendosur Krijimi i Qendrës Operacionale pranë Institucionit të Prefektit me numrat e telefonit sipas zyrave përkatëse, të cilat të marrin masat e duhura për hartimin e planeve operacionale. Në këtë proces do të angazhohen edhe kryetarët e komunave, Drejtoria Rajonale e Arsimit për mbylljen e shkollave në komunat Ana e Malit, Dajç, Guri i Zi, Lagjet Bahçallek, Ajasëm, Livadhe, për 24 orët në vijim, deri në një urdhër të dytë, si dhe vënia në dispozicion të KECQ të njërit nga konviktet e shkollave të mesme profesionale për akomodimin e komunitetit që mund të evakuohet.

Gjithashtu, në zonat e përmbytura do të dërgohen ndihma ushqimore të nevojshme nga Drejtoria e Rezervave Materiale të Shtetit.

“Në funksion të drejtimit të operacioneve të evakuimit, shpëtimit dhe transportit të komunitetit nga ana e strukturave të ushtrisë të vihen në dispozicion 2 varka në komunën Dajç, 2 varka në fshatin Obot të Komunës Ana e Malit për llogari edhe të transportit edhe nga komuna Dajç, 1 varkë tek Ujësjellësi i Trushit, 1 varkë në komunën Velipojë, 1 varkë në fshatin Kuç të Komunës Guri i Zi, 1 varkë në lagjen Ajasëm, 1 varkë në zonën e breg liqenit(Livadhe) të Bashkisë Shkodër, ndërsa varkat e tjera të vihen në dispozicion të KECQ në varësi të precipitimit të situatës”, thuhet ndër të tjerash në vendimin e marrë sot. Ky proces do të mbështetet edhe nga forcat e policisë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›