“Azem Hajdari hyn në historinë e Kombit, si lideri i lëvizjes që çliroi shqiptarët nga diktatura komuniste”

Kryeministri Berisha nderon kujtimin e tribunit të lirisë, Azem Hajdari në Ditën Kombëtare të Rinisë
TIRANE - Kryeministri Sali Berisha bëri dje homazhe pranë memorialit të Tribunit të Demokracisë, Azem Hajdari, në Ditën Kombëtare të Rinisë, 8 Dhjetor.
Kryeministri u shpreh se Azem Hajdari hyri në historinë e kombit si lideri i guximshëm i Lëvizjes së Dhjetorit, e cila çliroi shqiptarët nga diktatura më e egër që ata kanë njohur në tërë historinë e tyre. Kryeministri theksoi se liria që lindi 18 vite më parë, lindi në një regjim terrori, shtypjeje të egër, por ajo u mbrojt dhe u rrit nga uragani i shpresës që buroi nga rinia shqiptare dhe qytetarët shqiptarë.
“Sot, ne shprehim nderimin më të madh dhe respektin më të thellë para veprës së tribunit të lirisë, bashkëpunëtorëve dhe shokëve dhe shoqeve të tij studentë, të cilët 18 vjet më parë, me një guxim legjendar, do të përballeshin me diktaturën më të egër të Evropës, në rrugët e Tiranës dhe, do ta gjunjëzonin atë. Azem Hajdari hyri në historinë e kombit si lider i asaj lëvizjeje, e cila çliroi shqiptarët nga diktatura më e egër që ata kanë njohur në tërë historinë e tyre. Më 8 dhjetor, në krye të një grupi të gjerë studentësh dhe pedagogësh të rinj, ai, në një nga rrugët më kryesore të kryeqytetit, zhvilloi një betejë e cila do të sillte gjunjëzimin e diktaturës dhe vendosjen e sistemit pluralist në Shqipëri”, u shpreh Berisha.
Kreu i qeverisë theksoi më tej se liria që lindi 18 vite më parë lindi në një regjim terrori, shtypjeje të egër, por ajo u mbrojt dhe u rrit nga uragani i shpresës që buroi nga rinia shqiptare dhe qytetarët shqiptarë.
“Ndaj ne sot nderojmë më krenarë se kurrë këtë ditë, heroin legjendar të saj, Azem Hajdarin, nderojmë studentët liberatorë, të cilët me të drejtë, ato ditë dhjetori u quajtën nga qytetarët e Tiranës dhe të mbarë Shqipërisë si engjëjt e demokracisë”, deklaroi kryeministri Berisha.