“Ecim të sigurt drejt një mandati të dytë, për shndërrimin e ëndrrave të rinisë në realitet”

Fjala e Kryeministrit, mbajtur në takimin me të rinjtë në Ditën Kombëtare të Rinisë
Jam i lumtur që jam sot këtu, sepse unë askund nuk e ndjej veten më mirë, më të gëzuar, më të sigurt, më krenar dhe më të fuqishëm sesa midis te rinjve dhe të rejave, midis jush; sikundër askund nuk ndjehem, i frymëzuar, më i detyruar dhe më mirënjohës sesa nga ju dhe ndaj jush, të rinjve dhe të rejave të këtij vendi. Me vite nuk jam moshatar i juaj. Ju keni fatin e madh të jeni moshatarë me lirinë, ndërsa unë mbi katër dekada kam humbur në diktaturë. Por unë sërish jam fatbardhë dhe i lumtur sepse jam dhe do mbetem për jetë bashkëmoshatar i juaj në idealet e lirisë, në qëllimet, në aspiratat, në ëndrrat, në projektet për vendin tim, që 18 vjet më parë do t’i pagëzonim të gjitha së bashku “Shqipëria si Evropa!”. Unë sot së bashku me ju kremtoj 8 Dhjetorin, ditëlindjen e vërtetë të lirive dhe dinjitetit tim individual; ditëlindjen e lirive dhe të drejtave të mbarë qytetarëve shqiptarë që erdhën në dhjetorin e vitit 90 si qeniet më të shtypura, më të tjetërsuara, më të shkreta e më të izoluara të kontinentit Evropian. Në 8 Dhjetor të vitit ‘90, studentët e Universitetit të Tiranës me në krye heroin e tyre të pavdekshëm Azem Hajdari, në një betejë që do mbetet legjendë e vërtetë e trimërisë dhe guximit njerëzor u përballën në rrugët dhe sheshet e Tiranës me diktaturën më të egër, më barbare të Evropës, e gjunjëzuan atë dhe me vrullin e shpirtit të tyre, shkallmuan dhe hapën me shpejtësi të rrufeshme për shqiptarët dyert e mbyllura të lirisë, sollën ndryshimin e madh, “Big Bang”-un shqiptar, përmbysën një epokë, ndanë historinë. Më 8 Dhjetor të vitit ’90 unë pashë, ndjeva dhe besova se ideali, aspirata e lirive të mia po shndërrohet në realitet. Kështu që nga ajo ditë, për mua, por dhe për çdo shqiptar, rinia dhe liria janë dhe do mbeten sinonime të njëra tjetrës. Që nga ajo ditë e bekuar unë aq sa i besoj lirisë, po aq i besoj rinisë. Që nga ajo ditë e bardhë jam ndierë dhe do ndjehem gjithnjë bashkëmoshatar me ju në idealin tonë të lirisë evropiane. Sot dhe përgjithmonë, shqiptarët do të nderojnë këtë ditë. Rinia e bëri atë! Engjëjt e lirisë së shqiptarëve kanë qenë, janë dhe do të mbeten të rinjtë shqiptarë. Zoti i bekoftë ata! Gëzuar ditën e lirisë, ditën e rinisë. Në Dhjetorin e vitit ’90, liritë dhe të drejtat tona erdhën në jetë në një realitet të zhytur në dëshpërimin më të thellë, shpërfytyrimin më të madh të dinjitetit njerëzor, mjerimin më të skajshëm dhe shtypjen më të egër, terrorin dhe frikën më të thellë dhe izolimin më të plotë. Për shumicën e qytetarëve të shtypur shqiptarë liria e sapolindur ato ditë do të dukej thjesht një vegim, një flakëz të cilën do ta shuante me shpejtësi dimri i frikshëm i dëshpërimit që mbulonte vendin. Por ne nuk mendonim kështu. Për ju dhe për mua liria e sapolindur përmbante jo vetëm guxim, trimëri, lavdi dhe dinjitet por dhe shpresën e pashuar si mburojën e saj, shpresën për rritjen e saj, shpresën që buronte nga një besim tek vetja jonë, tek njëri-tjetri, tek Shqipëria. Sërish më duhet të theksoj se, unë vërtet nuk jam moshatar me ju në vite, por jam bashkëmoshatar me ju në shpresën time që buron para së gjithash dhe mbi të gjitha nga besimi im i palëkundur tek ju, pranvera e përjetshme e kombit tim. Prandaj dhe ata që çelën dyert e mbyllura të lirisë në Dhjetor të vitit 90 do të ishin jo vetëm engjëjt e lirisë së shqiptarëve, por dhe engjëjt e shpresës të një kombi të dëshpëruar dhe shpresëhumbur. Ata së bashku me një grup intelektualësh, punonjës dhe qytetarë të Tiranës do të vërshonin me shpejtësi si një uragan në të katërt anët e vendit, në qytetet, fshatrat, fushat, kodrat, malet, sheshet, rrugët e rrugicat e tij, do të mbillnin shpresën në vatrat, në mendjet dhe zemrat e qytetarëve të shtypur shqiptar duke përzënë nga aty frikën e ngulitur për gjysmë shekulli nga terrori i regjimit komunist barbar. Në marshimin tonë të lirisë ne ja dolëm të përmbysim diktaturën më të egër të Evropës dhe të inaugurojmë më 22 Mars të vitit 92 stinën e parë të lirisë për Shqipërinë dhe shqiptarët. Në udhëtimin tonë të përbashkët drejt të ardhmes që meritojmë, unë midis jush ndjehem më i sigurt se kurrë dhe se kudo tjetër Kjo për faktin e vetëm se unë ndjehem bashkëmoshatar me ju në idealin e të ardhmes sonë të ndritur evropiane e cila ka projektin e saj më madhështor në ëndrrën, në shpirtin, mendjet dhe zemrat tuaja, nga të cilat si nga një shatërvan i pashtershëm buron energjia, entuziazmi, forca, për shndërrimin e tij në realitet. Rruga jonë drejt të ardhmes është një histori e shkurtër, histori 18-vjeçare; ajo ka moshën tuaj, ka moshën e lirive tona. Të ardhmen e ndërtojnë vetëm njerëzit e lire, vetëm kombet e lira. Liria dhe e ardhmja janë një dhe e pandarë. Pushtimet, copëtimet, diktaturat, shqiptarët e të gjitha gjeneratave para jush i dënuan me mbijetesë, ndërkohë që kombet me të cilat ne duam të bashkohemi kanë rendur të lirë në rrugën e të ardhmes dekada dhe madje shekuj. Ne duhet të bashkohemi me ta. Ne kemi dhe kemi pasur një udhëtim me një mijë e një vështirësi, por ne vështirësitë nuk na shkurajojnë; në çdo vështirësi ne shohim një mundësi. Ne jemi guximtarë; ne nuk na trembi 18 vjet më parë diktatura. Ne vështirësitë i marrim si sfida për t’i zgjidhur. Ato vetëm sa shumëfishojnë motivimin, përkushtimin dhe qëllimin tonë. Ne sot jemi të lirë. Ne jemi ata që lirinë e sapolindur në dhjetorin e viteve ’90 e rritëm dhe e bëmë vajzë të bukur 18-vjeçare. Ne do ta bëjmë atë nuse, Shqipërinë zonjë në Evropë. Ne po e bëjmë atë! Tre vite më parë mbi projektet tuaja rinore, ëndrrat e bukura fisnike, kishte ngulur kthetrat e zeza të tij regjimi i kleptokracisë, i ndërtuar nga ata që ne përmbysëm në 22 Mars të vitit 92. Shqipëria e ëndrrës suaj të bukur Evropiane po venitej çdo ditë. Tre vjet më parë, brenda dhe jashtë vendit, të pakët ishin ata që besonin se ne me votat tona do të mund të përmbysnim sistemin e kleptokracisë. Kurse unë, njëlloj si në vitet ’90, isha i bindur se ju sërish do ta ndryshonit Shqipërinë. Unë, në pranverën e vitit 2005, njësoj si në atë të vitit 1992, çdo ditë dhe në çdo takim në fytyrat tuaja të bukura, në sytë tuaj shpresë lënës lexoja fitoren tonë të sigurt. Ju e sollët atë! Këto tre vite ishin vitet e rolit vendimmarrës më të madh të të rinjve në historinë e lirisë së vendit tonë. Këto tre vite, së bashku ne ia dolëm që Shqipërisë së kronikës së zezë Evropiane gradualisht t’i japim imazhin, pamjen e fytyrës suaj dhe e bëmë që ajo të rendë e sigurt drejt të ardhmes që meriton. Në këto tre vite, në përputhje me zotimet ndaj jush, unë dhe qeveria ime shkollimin e të rinjve, dhuratën më të çmuar që familja dhe shoqëria mund t’i bëjë secilit prej jush e kemi pasur përparësinë e të gjitha përparësive. Ne së bashku dhe për ju, hapëm dyert e universiteteve të vendit dhe mbi-dyfishuam numrin e studentëve, për të ecur të sigurt drejt trefishimit të tyre. Me ju dhe për ju, ne shpallëm nismën “Internet për të gjitha shkollat e Shqipërisë!” dhe po e shndërrojmë atë në një realitet. Jam këtu për t’u zotuar se përderisa të ketë të rinj që nuk ndjekin shkollat do të bëj gjithçka që çdo fëmijë shqiptar të shkollohet; Se përderisa të ketë të rinj që nuk ndjekin shkollat e mesme do të bëj çdo gjë që ata t’i përfundojnë ato; Përderisa të ketë të rinj që nuk ndjekin universitetet do bëj çdo gjë që ata t’i përfundojnë ato; Përderisa të ketë të rinj që të mos kenë internet në shtëpitë e tyre, pas shtrirjes së tij në çdo shkollë, do bëj çdo gjë që sa më shpejt të jetë e mundur, ata të lundrojnë në universin e tij në banesën ku jetojnë. Punësimi jua është përparësia jonë madhore. Këtë vit, ne së bashku me ju e ngjitëm Shqipërinë në vendin e dytë në botë për reformat e tregut. Shqipëria është sot vendi i rritjes ekonomike më të shpejtë në rajon, vendi i besimit më të madh nga qytetarët e saj dhe bota, vendi më tërheqës për investitorët, vendi me miqtë më të mëdhenj dhe më të shquar se kurrë më parë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Evropë. Unë jam këtu që t’u zotohem sot se, derisa të ketë të rinj që largohen nga ky vend do të bëj gjithçka që ata të punësohen; aftësitë dhe energjitë e tyre t’i përkushtohen Shqipërisë. Miqtë e mi të dashur, Shqipëria po ndryshon! Pushtetërimi juaj, krahas shkollimit dhe aftësimit tuaj, është qëllimi im i madh; është kushti i të gjitha kushteve që Shqipëria të vrapojë drejt të ardhmes që meriton. Me ju në Bruksel firmosa marrëveshjen e Stabilizim Asociimit me Bashkimin Evropian, kontratën historike të ëndrrës suaj “Shqipëria si Evropa”. Me ju së bashku do të firmosim për lëvizjen tonë të lirë, por dhe për realizimin e plotë të ëndrrës sonë europiane. Me ju në Bukuresht morëm ftesën e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, të shndërrimit në realitet të ëndrrës suaj të bukur atllantiste. Me ju së bashku Shqipërinë do ta bëjmë anëtare të aleancës më të madhe të lirisë që kohërat kanë njohur. Me ju ne ecim të sigurt drejt një mandati të dytë, mandati për rininë e vendit tim, për shndërrimin e plotë të ëndrrave të saj në realitet. Ne do ta fitojmë atë! Unë ju dua shumë! Zoti e bekoftë Rininë Shqiptare.
...