Nënë Jovanka e dëshpëruar për padinë penale ndaj Bashës
Antena brenda familjes
I dashur Damir!
Megjithëse u përpoqe të ma mbash fshehur lajmin, e mora vesh. Më në fund e morën të pandehur dhe mikun tënd më të mirë. Nuk e kuptoj ç’janë këta shqiptarë që u bën dora të bëjnë gjëra të tilla. Ti e di sa shumë kam ndryshuar unë mendim për shqiptarët, sidomos pas respektit me të cilin të pritën ty dhe të bënë të pasur për tri vite. Kam ndryshuar tërësisht. Tani kush më shan shqiptarët, unë jam gati të përleshem me ta. Por kjo që po i ndodh Lulit, është e padëgjuar. Si mund të jenë ata kaq të pamëshirshëm dhe të marrin të pandehur një njeri që i ka bërë aq shumë të mira atij vendi? Po ku do të gjejnë më ata një ministër si ai, që la punët e veta në Kosovë, braktisi pasionet e tij si përkthyes dhe D. J në klube nate në Prishtinë dhe erdhi në Tiranë të sakrifikojë duke hyrë drejt e në frontin më të vështirë, në qeveri? Ku do gjejnë ata më një ministër si ai, që mendon natë e ditë për njerëzit e vet? Që javën e parë të pushtetit, të përkrahu ty dhe kunatin e tij dhe hapët bizneset pa humbur kohë. Ai ka mentalitet krejt perëndimor, nuk është si ata mendjendryshkurit aty, që druhen të mos merren me biznes, se ua marrin për ters. Ai ishte më i qarti nga të gjithë. Ti më kishe thënë që në Prishtinë që e njihje, që ai ka plane të qarta se ç’do bëjë në Shqipëri, por nuk e kisha besuar. Kur e pashë si veproi, u binda. Duket që ishte i qartë dhe i ftohtë. U ndihmoi që javën e parë të hapnit bizneset tuaja dhe punuat bashkë aq mirë. E sajuat vetë dhe firmën konsulente për tenderin e rrugës, ai një holandez, ti një kroat, e kështu me radhë. I bëtë gjithë letrat në rregull dhe ia nisët rrugës. Tani nuk e kuptoj ç’duan këta prokurorët. Ata janë një tufë hajdutësh që u kanë zili juve pse kini bërë pará, ndaj duan t’u dënojnë.
Më kanë ardhur lajme të këqija dhe për ty. Ka zëra që duan të të shpallin fajtor dhe të të marrin si të pandehur. Por të të marrin të keqen. Dhe po ndodhi ajo, nxirr atë pasaportën tjetër origjinale, jo këtë falsen që ke shkuar aty dhe s’kanë ç’të të bëjnë. Nuk janë aq të zotë ata sa duken. Thjesht e kanë zili se ju keni bërë pará. Se aty ishin mësuar që vetëm gjykatësit dhe prokurorët bënin pará. Nuk ishin mësuar të bënin pará politikanë dhe biznesmenë. Ndaj u vjen inat.
E pashë dje Lulin në Bruksel me Oli Rehnin. I vuri ca kushte ai për luftë kundër korrupsionit dhe e pashë si u skuq djali deri te veshët. Më raftë pika sa keq më erdhi! E torturuan djalin. Tani s’del dot nëpër botë, se i thonë ke çështje penale. Dhe pse ia bëjnë thua, vetëm se rriti çmimin e një rruge që bashkon Shqipërinë me Kosovën dhe në të ardhmen me Serbinë. Ku e gjen një patriot të tillë si ai?
Sidoqoftë, të shkruaj që të kesh kujdes, të mos nxitohesh të shkosh papritur në Shqipëri për t’i qëndruar pranë Lulit. Përpiqu të takohesh me të, duku në Evropë, se dhe atë e vë në pozitë të vështirë. Se dhe ai ka armiqtë e vet brenda që e luftojnë. E kam dëgjuar një herë atë Topallin që ka thënë: “Nuk e dua Fazlliçin”. Nuk besoj se e ka me ty ajo, me Lulin duhet ta ketë. Të ka inat si shok i atij. Por dhe Berishën duhet ta ruash. E ke mik për kokë dhe s’ke pse e vë në pozitë të vështirë. Të ka ndihmuar sa s’bën. Ke marrë gjithë tenderat e energjisë. Dhe ti ia ke kthyer borxhin, por sidoqoftë ai ta ka bërë nderin. Më thanë se të janë kapur dhe ato lekët që janë dërguar nga Pluto Internacional te llogaria jote private në Tiranë. Qenka punë dreqi, se i paska tërhequr ajo Flutura Kola. Po dhe kjo Argita nuk gjen njeri tjetër të dërgojë për të tërhequr lekët, po për çdo gjë atë Fluturën dërgon. Se s’dihet si e marrin njerëzit. Pavarësisht se ti ke tërhequr 1,6 milionë euro nga llogaria private pa arsyetim, nuk i ke tërhequr vetë, po i ka tërhequr avokatja dhe mund të thonë që i ka marrë ortakja e saj. Bëj kujdes të keqen nëna me këto gjëra, se që i vogël ke qenë i rrëmbyer në ca punë dhe i bëje lëmsh gjërat. Dhe këtë punën e transfertave bankare e ke bërë ca rrëmujë. Se dërgon lekë nga firma jote nga Zvicra në llogarinë tënde në Tiranë dhe nuk shkon t’i marrësh vetë, po dërgon Flutura Kolën. Kjo nuk hahet, se duket si pagesë për studion dhe ti e di që e vë në pozitë të vështirë atë burrin.
S’di ç’të të them më, të keqen nëna. Më vjen shumë keq për Lulin, por kështu e desh fati. Nuk iu lanë t’u qeshë buza njëherë dhe ta gëzonit këtë pushtet, për të cilin luftuat aq shumë.
Me shumë mall,
Nënë Jovanka