Basha nga Brukseli: Për vizat jemi në rrugë të mbarë
Ministri i Jashtëm, Lulzim Basha, ishte dje në Bruksel, ku mori pjesë në Këshillin e parë të Stabilizim-Asociimit mes Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian. Takimi u zhvillua në orët e mbrëmjes dhe pjesëmarrës ishin drejtuesit e Presidencës Çeke, përfaqësuesit e Suedisë që do të marrë Presidencën e BE-së pas qershorit, ashtu sikurse edhe sekretariati i Komisionit Evropian. Në një komunikim paraprak me median, ministri Basha e vlerësoi shumë këtë takim, duke theksuar se ai vjen pas dy ngjarjeve madhore për Shqipërinë. "Së pari, vjen pas ratifikimit nga 27 vendet anëtare të Bashkimit Evropian të marrëveshjes së MSA-së, e cila e kthen këtë marrëveshje në kontratën bazë të marrëdhënieve midis Shqipërisë dhe BE-së", u shpreh Basha. "Së dyti, shtoi ai, vjen pas aplikimit nga Kryeministri Sali Berisha për anëtarësimin e Shqipërisë me të drejta të plota në Bashkimin Evropian". Ministri vlerësoi marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe BE-së, duke theksuar se ato janë në stadin më të lartë. "Dhe një stad i tillë do t‘i paraprijë edhe hapave të tjerë të rëndësishëm që do të çojë drejt anëtarësimit të plotë në BE", u shpreh Basha. Në takimin me drejtuesit e Presidencës aktuale Çeke, Basha tha se do të diskutohet rreth disa çështjeve kryesore, ku vend të veçantë do të zërë aplikimi, implementimi dhe zbatimi i marrëveshjes së ndërmjetme dhe të MSA për përparimin e Shqipërisë në reformat kyçe. "Siç janë ato të luftës kundër korrupsionit, krimit të organizuar, mbi përparimin e Shqipërisë në të tjera fusha siç kanë të bëjnë me hapjen e rrugës për liberalizmin e vizave. Mbi çështjet ekonomike financiare, por edhe mbi çështjet rajonale, ku Shqipëria vazhdon të vlerësohet si një shtyllë e stabilitetit për rajonin e Ballkanit Perëndimor", sqaroi Basha. Ministri i Jashtëm Basha iu është përgjigjur edhe deklaratave të bëra dje nga opozita në lidhje me raportin sekret të Komisionit Evropian që konstatonte se Shqipëria nuk i ka përmbushur plotësisht standardet për heqjen e regjimit të vizave. Në vlerësimin e ministrit të Jashtëm, deklaratat e opozitës janë qesharake dhe të pavërteta "pasi në Tiranë zëvendëspresidenti Barro deklaroi se Shqipëria është në rrugë të mbarë të plotësimit të kritereve për liberalizimin e vizave". Teksa kujtoi disa raste kur diplomatët e huaj kanë vlerësuar reformat e Shqipërisë dhe shanset për të qenë sa më afër BE-së, ministri Basha përmendi deklaratat e ministrit të Jashtëm italian, Franko Fratini, "i cili në Tiranë deklaroi se Shqipëria tashmë i ka përmbushur të gjitha kriteret kryesore politike dhe se pajisja e qytetarëve me pasaporta biometrike përbën edhe hapin e fundit për të siguruar vizita për të gjithë qytetarët shqiptarë". Këto qëndrime, sipas Bashës, janë përsëritur edhe në nivele të ndryshme nga persona të ndryshëm, ministra të Jashtëm të BE-së siç ishte kreu i diplomacisë franceze, Bernard Kushner. Basha nënvizoi se nuk ka asgjë të vërtetë në këtë deklaratë ashtu siç nuk kishte asgjë të vërtetë në deklaratën e bërë gjysmë ore para ftesës së Shqipërisë për në NATO se gjoja Shqipëria nuk do ta merrte ftesën. "Apo deklaratave të bëra se Shqipëria rrezikon anëtarësimin e plotë në NATO apo deklaratave se Shqipëria nuk duhet të aplikojë për vend kandidat në BE, sepse nuk do të mirëpritet", tha Basha. Kjo deklaratë është në vazhdën e këtyre qëndrimeve, u shpreh ministri, duke iu referuar sulmeve të opozitës. Basha shprehu keqardhjen për opozitën që bën deklarata të tilla për fushatë elektorale. Ai siguroi shqiptarët se, pavarësisht se jemi në fushatë, nuk do të ketë spekulime në lidhje me këtë pikë. "Shqipëria, tha ai, është në rrugë të mbarë për plotësimin e kritereve dhe ne do të vazhdojmë këtë kërkesë madhore për shqiptarët që të lëvizin pa viza në hapësirat ‘Shengen‘".
Vizat
Dokumenti me tone të forta u publikua dy ditë më parë në "Top Channel"
Raporti kritik për Shqipërinë:
Nuk janë plotësuar standartet
Komisioni Evropian dorëzoi tek 27 vendet anëtare të BE-së raportet për liberalizimin e vizave me Ballkanin. Një dokument konfidencial paralajmëroi se Shqipëria nuk i ka përmbushur të gjitha kriteret për hedhjen e këtij hapi. Dokumenti, një kopje e të cilit u sigurua nga "Top Channel", është përgatitur nga Këshilli Evropian dhe pasqyron qëndrimin e BE-së për progresin e Shqipërisë, në kuadër të Këshillit të parë të Stabilizim-Asociimit që zhvillohet sot në mbrëmje në Bruksel. Për çështjen më të ndjeshme për shqiptarët, atë të lëvizjes së lirë, ky dokument sekret vlerëson se janë bërë disa progrese, por se nevojitet përmbushja e plotë e kritereve në të gjitha fushat e specifikuara në udhërrëfyes. "Në fushën e drejtësisë, lirisë e sigurisë vërehet njëfarë progresi në përgjithësi, por për sa u takon fushave për heqjen e regjimit të vizave, Shqipëria nuk është ende në përputhje me standardet evropiane. BE thekson rëndësinë e bërjes së një progresi të matshëm në kontrollin e kufijve, sigurinë e dokumenteve, migrimin dhe azilin si dhe në luftën kundër terrorizmit, krimit të organizuar dhe korrupsionit", thuhet në dokument. Me gjithë përmirësimin e perceptimit "korrupsioni mbetet i shpërndarë gjerësisht dhe përbën një problem veçanërisht serioz". Bashkimi Evropian vlerëson progres të limituar sidomos në kuadrin ligjor për luftën kundër krimit të organizuar dhe nënvizohet se ky fenomen "mbetet problem serioz që prek shtetin e së drejtës dhe mjedisin e biznesit në Shqipëri.