E Shtunë, 31 Tetor 2026

Braçe: Shqiptarët ndëshkohen për faj të qeverisë

Pas bërjes publike të raportit të fundit të Komisionit Evropian ku thuhej se Shqipëria ende nuk i ka përmbushur standardet në mënyrë që shqiptarët të udhëtojnë lirshëm në Evropë pa viza ka reaguar PS dhe G99. Nënkryetari i grupit parlamentar të PS-së, Erion Braçe, në një prononcim për mediat pranë rrugës së ambasadave në Tiranë, është shprehur se Kryeministri Berisha së bashku me qeverinë e tij, u ka mohuar shqiptarëve shansin që vendet e BE-së i dhanë atyre të lëvizin pa viza në vendet e Bashkimit Evropian. Braçe theksoi se "për fat të keq, midis shqiptarëve dhe djalit të tij, midis shqiptarëve dhe djalit të tij politik, Sali Berisha zgjodhi interesat e djalit të tij biologjik dhe të djalit të tij politik. Në krye të të gjithë vlerësimeve që dje dhe sot mbërritën në Shqipëri nga Komisioni i Bashkimit Evropian, është çështja mbi të gjitha e pavarësisë së gjyqësorit, e cenuar rëndë pikërisht për interesa personale të Sali Berishës dhe të djalit të tij të përfshirë në korrupsion, interesave personale të Sali Berishës dhe të djalit të tij politik, të përfshirë po prapë në korrupsion". Më tej, numri dy i grupit socialist nënvizoi se sot gjendemi përpara vlerësimeve negative që vijnë për këtë arsye, të mospërmbushjes së detyrimeve që Bashkimi Evropian i ka vendosur Shqipërisë për të garantuar lëvizjen e lirë dhe mospërmbushjes së këtyre detyrimeve për shkak të interesave personale dhe korruptive të Sali Berishës dhe të familjes së tij politike dhe familjes së tij biologjike. Duke pasur parasysh këtë hap para të Shqipërisë të hedhur për faj të qeverisë së Kryeministrit Sali Berisha, deputeti i PS-së u ka drejtuar një apel të gjithë shqiptarëve duke u kërkuar të mos votojnë më 28 qershor për Sali Berishën, duke i dhënë kështu fund gënjeshtrave të pafundme të tij. Në të njëjtën linjë ka qenë edhe reagimi i G99. Në një konferencë për shtyp, Arbi Mazniku deklaroi se shqiptarët këtë herë po mbeten pas murit "Shengen", jo për faj të Evropës dhe ambasadave, por për shkak të paaftësisë së qeverisë "Berisha" për të arritur standardet e nevojshme. Mazniku sqaroi se G99 i ka kërkuar qysh vitin e kaluar qeverisë që të bëjë transparente hartën e udhëzimeve për liberalizimin e vizave si dhe të raportojë para qytetarëve për progresin në reforma.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›