E Shtunë, 31 Tetor 2026

Basha pagëzon rrugën e dytë Ibrahim Rugova, Rama e përuroi në vitin 2008 (HARTAT)

Share

(E PERDITESUAR)- Bashkia e Tiranës ka pagëzuar sot një nga rrugët kryesore në kryeqytet pranë kompleksit Tajvani me emrin e ish-presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova. Por në kryeqytet është edhe një rrugë tjetër me këtë emër, që është inauguruar në vitin 2008 pikërisht në vigjilje të shpalljes së pavarësisë së Kosovës nga ish-kryetari i Bashkisë Edi Rama. Siç ndodh rëndom ne shqiptarët i bëjmë gjërat lëmsh dhe përveçse dukemi qesharakë, krijojmë dhe probleme postare për njerëzit, sepse nuk dihet në cilën rrugë Ibrahim Rugova duhet të shkojë posta që nesër e tutje. Sipas specialistëve, nëse Bashkia do të vendoste zhvendosjen e emrit nga rruga ekzistuese tek kjo e reja që u përurua sot, atëherë duhej njoftuar njësia bashkiake përkatëse që të hiqte tabelat treguese me emrin Ibrahim Rugova. Këshilli Bashkiak ka vendosur revokimin e emrit të rrugës, por nuk ka bërë njoftimet. Kryetari i Njësisë Bashkiake numër 7, Erjon Koka, që administron territorin ku ndodhet kjo rrugë tha në një intervistë për Top-Channel se unë kam marrë në mbledhjen e fundit të Këshillit Bashkiak, ku edhe është diskutuar një gjë e tillë. Unë kam tentuar disa herë që të marr fjalën, kryetari i Këshillit nuk më ka lejuar që të flas në mbledhjen e Këshillit. Nëqoftëse do t’i vendosësh një rruge një emër, më parë duhet të kontrollosh nëse ekziston një emër i tillë, mos të ketë përplasje të tilla, sepse nuk jemi seriozë. Nëse do t’i vendosësh kësaj rruge emrin, atëherë shiko dhe duhet t’ia heqësh emrin rrugës tjetër. Këtë kam kërkuar unë në mbledhjen e Këshillit Bashkiak. Praktikisht ne kemi dy rrugë me emrin e Ibrahim Rugovës, në mes të qytetit të Tiranës”.

Përurimi i rrugës që të fliste Berisha

Përurimi i rrugës së re me emrin e Ibrahim Rugovës mund të ketë qenë dhe një arsye e thjeshtë për daljen e radhës publike të kryeministrit Sali Berisha, në këtë rast atij i duhej të fliste domosdo për Ibrahim Rugovën dhe Kosovën. I pranishëm në ceremoninë e emërtimit të kësaj rruge ai e cilësoi Rugovën frymëzuesin e lëvizjes paqësore për pavarësinë e Kosovës dhe Presidentit të parë të Republikës së Kosovës. Në këtë ceremoni ishte dhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe kryetar i komunës së Prishtinës, Isa Mustafa, ministrat e Kulturës i Shqipërisë dhe i Kosovës, Aldo Bumçi dhe Memli Krasniqi, si dhe pjesëtarë të familjes Rugova.  Berisha vlerësoi figurën e Presidentit Rugova si arkitektin e Kosovës së pavarur dhe theksoi faktin se kjo ceremoni zhvillohet në një ditë të madhe për shqiptarët, 17 shkurtin, shpalljes së pavarësisë së Kosovës.  Ndaj, edhe një herë do të përulem me nderim të madh para veprës së këtij burri mendjendritur, këtij misionari të pashoq në historinë tonë kombëtare, arkitektit të Kosovës së pavarur. Faleminderit President Rugova, për gjithçka bëtë! Shqiptarët, kudo që ndodhen, sot përkulen me nderim të madh para jush, theksoi Berisha.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›