E Diel, 1 Nëntor 2026

Topi dhe opozita përjashtohen nga ceremonitë për ambasadën kosovare dhe rrugën Ibrahim Rugova

Share

(E PERDITESUAR)- Sali Berisha dhe Hashim Thaçi kanë përuruar ambasadën e Kosovës në Shqipëri. Por, siç këta dy kryeministra bëjnë politikën në vazhdimësi, edhe të premten në mbrëmje nuk u bënin dot bisht skandaleve. Në ceremoni ka munguar kreu i shtetit shqiptar, Bamir Topi, i cili me kushtetutë është përfaqësuesi më i lartë i vendi në marrëdhënien me shtete të tjera. Ai nuk ka pasur një ftesë për në ceremoni. Të pranishëm ka qenë Berisha dhe shpura e tij e PD-së. Po ashtu nuk kanë qenë të ftuar as përfaqësues të opozitës. Edhe paradite, kur kryeministri dhe kryebashkiaku inauguruan një rrugë me emrin Ibrahim Rugova, sërish e njëjta gjë, nuk pati ftesa, por ceremonia u privatizua nga Basha e Berisha.

Hapja e ambasadës, ka mision forcimin e marrëdhënieve Shqipëri-Kosovë. Kështu ka deklaruar pak minuta më parë kryeministri Sali Berisha, gjatë ceremonisë për hapjen e ambasadës së Kosovës në Tiranë.

Më tej, ai ka vënë në dukje se kjo ditë, ka bërë që çdo shqiptar të ndihet krenar.

Nën prerjen e shiritit të dy kryeministrave të vendeve përkatëse, ka marrë udhë hapja e kësaj godine në kryeqytet, e pozicionuar në mes të asaj ruse dhe serbe.

Është nder i madh që inauguruam hapjen e selisë së ambasadës së Kosovës. Është një moment shumë i rëndësishëm në marrëdhëniet vëllazërore. Dy ambasadat tona kanë mision të dyfishtë, forcimin e pozitës së vendeve tona në rajon por kanë dhe mision kombëtar. Jam i bindur se nën udhëzimet e qeverisë së Kosovës, kjo ambasadë së bashku me atë shqiptare në Prishtinë do të luajnë rol të madh për vendet tona. Edhe prania e Thaçit në Tiranë në 4- vjetorin e pavarësisë ka një simbol të madh. Me punë të përbashkët do të realizojmë projekte të rëndësishme- tha kryeministri Berisha.

Gjatë fjalës së tij, kryeministri kosovar ka cituar se hapja e ambasadës është bërë në një ditë historike për shtetin e Kosovës, pasi ne jemi një komb.

Është një moment jashtëzakonisht i rëndësishëm. Falenderoj qeverinë shqiptare dhe kryeministrin Berisha, për këtë dhuratë në katër vjetorin e pavarësisë. Jemi një komb dhe dy shtete, sot po shënojmë një datë historike, një progres të jashtëzakonshëm. I bëj të ditur zotit Berisha, se në qendër të Prishtinës është zënë një truall i mirë ku do të ndërtohet ambasada e Shqipërisë.

Kosova, shtet i njohur deri më sot nga 88 vende anëtare të OKB-së, sot celebron 4-vite që nga shpallja e pavarësisë së saj, në datën 17 shkurt të vitit 2008.

Ama-News

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›