Basha për 21 janarin: Politika të mos ndikojë në hetim
“Ngjarjet e 21 janarit duhet të hetohen sipas parametrave të shtetit ligjor, të pa ndikuara nga politika”. Kështu ka deklaruar kryebashkiaku Lulëzim Basha nga Uashingtoni ku ndodhet për një vizitë zyrtare. Në një intervistë për Zërin e Amerikës ai tha se kjo ngjarje e rëndë duhet ti nënshtrohet një hetimi të gjithanshëm e profesional.
“Çdo njeri duhet të jetë i përgjegjshëm të kufizojë vetveten, është një ngjarje tragjike, ku janë vrarë 4 persona e janë sulmuar institucionet, prandaj të gjitha këto duhet të jenë pjesë e një hetimi të gjithanshëm e profesional. Është e rëndësishme të hetohet sipas parametrave të shtetit ligjor, të mos ndikohet nga politika”.
Në lidhje me funksionin e tij si kryetar i bashkisë së Tiranës u shpreh se prioritet i institucionit që ai drejton mbetet hapja e vendeve të reja të punës. “Qytetarët janë përfshirë në vendimmarrjen e qytetit.Protagonistët politikë të marrin përgjegjësitë e tyre”.
Më tej ai theksoi se shqiptarët po punojnë fort për tu bërë pjesë e gjirit të Evropës. “Në 8 maj qytetarët treguan se janë ngopur me politikën agresive, me akuzat e pabaza, me montazheve e bojkoteve. Ata duan bashkëpunim”, përfundoi Basha.