Qeveria shton pensionet për disa personalitete, përgatit dhënien me koncesion të monumenteve të kulturës
Shtohet pensioni për Vera Grabockën, Guljem Radojan, Zyliha Milotin, etj
Kryeministri Sali Berisha tha në mbledhjen e sotme të qeverisë se ata janë të vendosur për të dhënë me koncesion monumentet e kulturës në vend. Rreth 40 kështjella e kala do jepen me koncesion në një lëvizje që ka shqetësuar historianët dhe arkeologët. Berisha tha se askush nuk duhet të ketë frikë nga liria e përdorur sipas ligjeve. Unë e dëgjoj me shumë vërejtje kritikën dhe në mënyrë absolute nuk hedh poshtë asnjë mendim pavarësisht nga kush vjen. Por kam një pyetje: Cila është kështjella më e ruajtur, ajo që është e banuar apo ajo që është e pabanuar? Pse shumica e kështjellave në Shqipëri janë të banuara dhe disa të tjera që janë të shkreta nuk u dashka që për to të ketë disa rikonstruksione të lehta për t’u përdorur dhe për të kënaqur vizitorin. Cili është ai që nuk shkon në kalanë e Beratit për të shijuar një drekë të mrekullueshme? Kalatë nuk kanë qene varreza, kanë qenë mburoja të qendrës së banimit. Në qoftë se ato sot përshtaten sipas kritereve dhe kushteve, pse të rrënohen?! Përkundrazi le të shfrytëzohen shumë më mirë dhe të krijohen disa të ardhurave. Askush nuk duhet të ketë frikë nga liria e përdorur sipas ligjeve dhe kritereve të caktuara. Pra me këto ligje ne shënojmë një hap të rëndësishëm në platformën tonë të dorëzimit të menaxhimit të vendit qytetarëve shqiptarë dhe individëve, tha Berisha.
Ndërkohë qeveria vendosi po sot të marrë një vendim për dhënie shtesë pensioni të posaçëm shtetëror, disa prej personaliteteve të artit, kulturës dhe të historiografisë e shkencës shqiptare, të cilët janë: znj. Vllasova Musta, z. Pandeli Çina, z. Vasfi Baruti, Z. Ermir Krantja, znj. Zyliha Miloti, z. Vladimir Prifti, z. Sherif Delvina, z. Guiliem Radoja, z. Koço Kosta, z. Tomorr Aliko, z. Lorenc Vorfi, z. Beqir Ajazi, z. Kiço Negovani, znj. Vera Grabocka, z. Zef Shoshi.