Parlamentarët e Konferencës Islamike i japin çmim Topallit (FOTO)
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, ka marrë një çmim në Asamblenë Parlamentare të Konferencës Islamike. Megjithatë në njoftimin e shpërndarë nga Kuvendi nuk thuhet se me çfarë motivacioni e mori Topalli këtë çmim. Po ashtu njoftimi është i paqartë edhe në lidhje me pjesëmarrjen e Topallit në konferencë. Në fillim thuhet se Topalli është për vizitë zyrtare në Indonezi, me ftesë të homologut të saj. Më pas njoftimi i parlamentit vijon: Gjatë qëndrimit të Kryetares së Kuvendit u zhvillua asambleja e PUIC ku merrnin pjesë një numër i madh parlamentarësh nga një pjesë e rëndësishme e vendeve të botës.
Duket sikur Topalli ka rastisur në Indonezi kur është bërë takimi dhe ka marrë pjesë në të. Ja çfarë thuhet më poshtë në njoftim: Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli shfrytëzoi vizitën e saj në Indonezi për tu takuar me Kryetarin e Parlamentit të Arabisë Saudite, i cili pak kohë më parë bëri një vizitë në Shqipëri, si dhe Kryetarin e Parlamentit të Emirateve të Bashkuara Arabe. D.m.th nuk është se i ka takuar në Asamblenë Parlamentare të Konferencës Islamike. Por çudia arrin kulmin kur thuhet se Topalli mori një çmim në këtë Konferencë. Madje në foto duket Topalli duke folur nga podiumi i asamblesë. Edhe çmimin e ka marrë ashtu si në mënyrë spontane? Pastaj nuk zbardhet as motivacioni.



