E Diel, 1 Nëntor 2026

PD sulmon sërish kryeprokuroren: Shpalli vrasës ata që me trimëri, burrëri, heroizëm, mbrojtën institucionet

Share

Partia Demokratike ka sulmuar sërish ashpër kryeprokuroren Ina Rama gjatë ditës së sotme, duke thënë se ka shpallur vrasës mbrojtësit e institucioneve më 21 janar. Me sulmet ndaj kryeprokurores, PD ka hedhur poshtë edhe ekspertizën e FBI-së, duke qenë se kjo e fundit faktonte vrasjen e Faik Myrtajt nga ana e kreut të Gardës së Republikës, Ndrea Prendi. Ambasadori amerikan, Aleksandër Arvizu, pohoi ditë më parë se mazhoranca dhe gjykatat duhet të pranojnë provat e FBI-së, gjë që nuk është marrë në konsideratë.

Me anë të një deklarate për shtyp, PD është shprehur se hetimi i 21 janarit është zotimi i kësaj mazhorance dhe këtë që do ta bëjë. Zëdhënësja e PD-së është shprehur se duhet të zbardhen autorët e dhunës më 21 janar.

Zëdhënësja Albana Mustafaraj tha se “në daljen e tij të djeshme, kreu i opozitës, Edi Rama, faktoi se ishte ai që qëndronte prapa pretencës televizive të Ina Ramës, ndaj mbrojtësve të institucioneve Kushtetuese”.

Deklarata

Në daljen e tij të djeshme, zoti Rama, faktoi se ishte ai që qëndronte prapa pretencës televizive të Ina Ramës, ndaj mbrojtësve të institucioneve Kushtetuese

Në fjalën e tij në kryesinë e Partisë Socialiste, Edi Rama falenderoi zonjën Ina Rama, për shpalljen e tij të pafajshëm apo amnistinë e tij si organizatori kryesor i 21 Janarit 2011, mbasi në pretencën e saj televizive mbi 90 minuta, zonja Ina Rama shpalli mbrojtësit të institucioneve kushtetuese të vendit ashtu siç i kishte shpallur zoti Rama një vit më parë, si vrasës me dashje, kurse ultimatumin e zotit Rama drejtuar Kryeministrit të vendit më 20 janar: largohu ose do kalosh mbi kufoma, e vlerësoi si një retorikë të thjeshtë.

Partia Demokratike, i thotë zotit Rama mos u gëzo para kohe se, deklaratat për pafajësinë tënde në organizimin e grushtit të shtetit më 21 janar, i kanë këmbët e shkurtra, madje, ato nuk i beson as edhe ti vetë, ndaj dhe i tronditur bërtisje, – hetomëni, hetomëni.

Partia Demokratike thekson edhe njëherë se, pretenca publike televizive prej 90 minutash e Prokurores së Përgjithshme e paprecedent në historinë e një vendi të lire, akuzat e saj për vrasje me dashje ndaj oficerëve të Gardës, që me trimëri, burrëri, heroizmin e tyre mbrojtën rendin kushtetues dhe hodhën në Lanë mandatet e ëndërruara të puçistëve, dëshmojnë thjesht urrejtjen por panikun që ka mbërthyer klanin e atyre që, tek përmbysja me dhunë e pushtetit legjitim, kishin vendosur ëndrrën e mandateve të tyre.

Partia Demokratike i deklaron edhe njëherë zotit Rama se, hetimi i pavarur i 21 janarit 2011, identifikimi i ideatorëve, organizatorëve, sponsorizuesve të 21 janarit, si dhe autorëve të dhunës tragjike dhe rrethanave të saj, janë zotimi absolut i kësaj mazhorance. Ky hetim nuk do mund të pengohet as nga pretencat tuaja të përbashkëta televizive me Prokuroren e Përgjithshme, nga etiketimet që ju u bëni punonjësve që mbrojtën rendin kushtetues të vendit si vrasës me dashje dhe që së shpejti do ti shpallni vrasës me pagesë, as nga prishja e provave dhe zhdukja e dëshmive që faktojnë gjithçka rreth skenarit të 21 Janarit 2011.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›