E Diel, 1 Nëntor 2026

Kush investon 100 mijë euro, përfiton nënshtetësinë

08/02/2012  Kryeministri kërkoi dje rishqyrtimin e ligjit për dhënien e shtetësisë shqiptare për të huajt

Reagon AK: Projektligji favorizon kriminelët. Berisha të mos bëjë të tilla pazare.

Kryeministri Sali Berisha deklaroi në mbledhjen e djeshme të qeverisë se po përgatitet rishqyrtimi i ligjit për dhënien e shtetësisë shqiptare për të huajt. Sipas tij, çdo shtetas i huaj që do të investojë në Shqipëri një shumë mbi 100 mijë euro, do të ketë të drejtën e aplikimit për marrjen e shtetësisë shqiptare. “Shqipëria duhet t’u japë shtetësinë shqiptare të gjithë atyre shtetasve të huaj që investojnë mbi 100 mijë euro në territorin e saj. Kjo është një masë që u jep një shkallë më të lartë sigurie atyre që zbatojnë projektet në këtë vend, atyre që duan të blejnë vila për të kaluar pushimet në Shqipëri”, - u shpreh Berisha për rishqyrtimin e ligjit “Për shtetësinë”, me synim vendosjen e standardeve të reja në trajtimin e kësaj çështjeve. Ndryshimet në këtë ligj, sipas kreut të qeverisë, kanë të bëjnë me detyrimet që rrjedhin nga marrëveshja e heqjes së vizave dhe përcaktimet ligjore. “Ligji për shtetësinë duhet të rishqyrtohet dhe të përcaktojë disa standarde të reja. Duke ruajtur të gjitha detyrimet që rrjedhin nga marrëveshja me Bashkimin Europian për heqjen e vizave, Shqipëria duhet t’u njohë shtetësinë shqiptare të gjithë atyre shtetasve të huaj që kanë apo investojnë mbi 100 mijë euro në territorin e saj. Kjo është një masë që u jep një shkallë më të lartë sigurie atyre që vendosin të zhvillojnë e zbatojnë projektet në këtë vend, atyre që duan të blejnë vila për të kaluar kohë pushimesh apo tjetër në Shqipëri”, – u shpreh Berisha. Sipas Kryeministrit, ligji duhet të përfshijë dekretin për shtetësinë i miratuar nga presidenti në vitin 1994, ndërsa ka shtuar se duhet të ridimensionohet qëndrimi që duhet të orientohet drejt investimeve dhe drejt nxitjes së tyre. “Pra, duhet ta ridimensionojmë qëndrimin dhe ta orientojmë këtë masë drejt nxitjes së investimeve. Dëshira për të investuar në Shqipëri dhe për të pasur shtetësinë shqiptare është reale. Shumë biznesmenë ma kanë kërkuar. Nuk është se nuk është dhënë apo është ndaluar, por tani duhet t’u jepet me ligj”, - theksoi Kryeministri. Nxitja e biznesit nga qeveria nëpërmjet politikave lehtësuese në rrafshin fiskal dhe administrativ ka ndihmuar në performancën e tij. “Përmirësimi i vazhdueshëm, kryesisht i infrastrukturës rrugore, rinovimi i teknologjive në sektorë të ndryshëm dhe zhvillimi i kapaciteteve njerëzore kanë rritur efiçencën e ekonomisë, duke e kthyer këtë të fundit gjithnjë dhe mё tepër në një faktor të rritjes ekonomike. Zhvillimet pozitive në biznesin vendas kanë dhënë efektet e tyre në nxitjen e punësimit dhe rritjen e të ardhurave të disponueshme të familjeve”, – u shpreh kreu i mazhorancës në mbledhjen e djeshme të qeverisë.

Deklarata e AK-s

Nisma e Kryeministrit Berisha për ndryshimin e ligjit të shtetësisë, që u mundëson të gjithë të huajve që investojnë 100 mijë euro në vendin tonë të marrin shtetësinë shqiptare, është kundërshtuar dje nga Aleanca Kuqezi. “Nuk bëhen pazare me çështjen e shtetësisë. Aleanca Kuqezi thekson se prioritet në ligjin për shtetësinë shqiptare duhet të ketë origjina e aplikantëve dhe jo paratë e investitorëve të përkohshëm, ndaj AK-ja propozon që ky projektligj t’i nënshtrohet debatit publik dhe transparent përpara se të nisë zbatimin, pasi efektet duhet të parashikohen përpara zbatimit. Aleanca Kuqezi konstaton me keqardhje se problemet ekonomike që po hasen në shoqërinë shqiptare nuk mund të zgjidhen duke shitur pasaportën shqiptare për 100 mijë euro”, – thuhet në deklaratën e AK-së.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›