E Diel, 1 Nëntor 2026

Basha përdor Banken Boterore si “gomë shpëtimi”

Nga Genc Kondi
Madje, disa prej pohimeve të tij krijojnë probleme edhe në marrëdhëniet e Shqipërisë me Bankën Botërore, pas ftohjes së Berishës me Fondin Monetar Ndërkombëtar. 

TIRANE-S’kam përfituar, as unë dhe në dijeninë time, asnjë zyrtar i shtetit s’ka marrë asnjë qindarkë nga kjo rrugë. Ky është projekti më transparent në të gjithë historinë e shtetit shqiptar. Ka deklaruar kështu publikisht nga ekrani televiziv, ministri i Jashtëm dhe ish-kreu i Transporteve, Lulzim Basha dy ditë më parë, duke folur për “aferën e shekullit”, segmentin Rrëshen-Kalimash. Realizimi i kësaj vepre publike është mbrojtur prej tij shumë pak nga pikëpamja tekniko-financiare, por krejtësisht me argumente në rrafshin politik. Por, të gjitha akuzat që janë bërë deri tani lidhur me shkelje të legjislacionit shqiptar nga autoritetet në këtë rast, kanë qenë vetëm të karakterit teknik. Madje, disa prej pohimeve të tij krijojnë probleme edhe në marrëdhëniet e Shqipërisë me Bankën Botërore, pas ftohjes së Berishës me Fondin Monetar Ndërkombëtar.
Sipas ministrit Basha, BB-ja ka shprehur lëkundje në mbështetjen e qeverisë shqiptare për realizimin e një projekti të tillë madhor.
BB-ja është një bankë e cila kryesisht financohet nga vendet në zhvillim; projektet e saj financohen me kredi të buta në zbutje të varfërisë. Pra, jo projekte gjeostrategjike. Kishte dhe faktorë të tjerë në lojë që ishin gjeostrategjikë dhe disa herë një refraktarizëm ndaj idesë së portit të Durrësit me Ballkanin, gjoja se do ndryshonte ekuilibrat gjeostrategjikë, tha ai. Ekzistonte frika se disa porte të tjera të vendeve të tjera do të rrezikonin. Ka pasur lobim brenda BB-së, që ishte i qartë e i mirëdokumentuar nga zyrtarët shqiptarë, që kërkonte një marrëveshje midis Tiranës, Athinës dhe Beogradit para se të ecej me një projekt që do të transformonte portin e Durrësit me një peshë shumë të madhe në Ballkan. Duke parë rezistencën e BB-së, ne bëmë dy hapa. Në mars 2006 shpallëm tenderin e rrugës Kalimash-Morinë për të treguar se e bëjmë dhe me paratë tona. I thamë BB-së se nëse ata nuk marrin një vendim, ne do ecim vetëm, pa të në ndërtimin e rrugës, shtoi ai.
Megjithatë, në të gjitha pohimet e Bashës, ajo që stonon më tepër është përdorimi i Bankës Botërore si burim i rekomandimit për përzgjedhjen e kompanisë që do të përcaktonte kontraktorin. “Firma ‘Ecorys’ u rekomandua nga BB-ja, u zgjodh me prokurim të drejtpërdrejtë”, - tha ai. Por, që në fund të shtatorit 2007, shefja e përfaqësisë së Bankës Botërore në Tiranë, Camille Nouamah, deklaroi se ky institucion nuk kishte dhënë asnjë lloj rekomandimi pranë autoriteteve shqiptare për të përzgjedhur kompani të caktuara private për të kryer shërbime të caktuara. Ky ishte një kundërshtim i drejtpërdrejtë i deklaratave të ish-ministrit të Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, aktualisht ministër i Jashtëm, Lulzim Basha, i cili gjatë mbledhjes së datës 10 korrik 2006 të Këshillit të Ministrave, kishte thënë se “Ecorys Group (kompani e huaj konsulence) është përzgjedhur nga një listë prej pesë kompanish konsulente të sugjeruara nga ekspertë të Bankës Botërore.” Sipas mesazhit të Nouamah, as Ecorys dhe as Bechtel-ENKA, që po kryejnë ndërkohë ndërtimet e rrugës, nuk janë sugjeruar dhe as që mund të sugjeroheshin me ndërhyrjen e Bankës Botërore.
Në këtë rast, duket qartë se emri i këtij institucioni është keqpërdorur nga ana e ministrit për të siguruar se nuk do të ketë kundërshti nga homologët e tjerë në Këshillin e Ministrave apo nga ndërkombëtarët.

(d.b/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›