E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ilir Rusmali: Dekreti i Presidentit Topi, tek Ligjet

Nga Tedi Blushi
Rregullorja e Kuvendit parashikon që me Kodin të merret komisioni i reformës zgjedhore. Por, Rusmaili tha se Kodi zgjedhor i kthyer nga Presidenti Bamir Topi do hqyrtohet në komisionin e ligjeve 

TIRANE-Kodi zgjedhor i kthyer në Kuvend nga Presidenti Bamir Topi do të shqyrtohet në komisionin e ligjeve, dhe jo në komisionin e posaçëm të reformës elektorale. Këtë e ka bërë dje të ditur në një prononcim për “Gazeta Shqiptare”, kreu demokrat i këtij komisioni, Ilir Rusmali. Neni 86, pika 1 e rregullores së funksionimit të Parlamentit, parashikon që në të tilla raste dekreti i kreut të shtetit duhet të kalojë në komisionin përgjegjës që e ka shqyrtuar fillimisht, që kësaj here përkon me komisionin e posaçëm të reformës zgjedhore. Por, Rusmali nuk është i këtij mendimi. “Komisioni i Reformës nuk ekziston më. Komisioni i Ligjeve e merr në shqyrtim sapo t’ia ngarkojnë, nëse ia ngarkojnë. A ia kanë ngarkuar deri tani? Jo”, - shprehet ai për GSH. Me miratimin e kodit elektoral, komisioni i posaçëm kuvendor i ngritur për hartimin e tij pushoi së funksionuari. Pikërisht ky detaj pritet të shkaktojë një debat politik e mbi të gjitha, teknik lidhur me komisionin që duhet të marrë në shqyrtim dekretin e Topit. Ndërkaq, autoriteti përgjegjës për kalimin e kodit për shqyrtim në komisionin përgjegjës, në bazë të pikës 1, të nenit 86, të rregullores së Kuvendit, është kryeparlamentarja Jozefina Topalli. Burime konfidenciale pranë saj pretenduan dje, se këtë ajo do e bëjë mesjavën e ardhshme, por pa konfirmuar saktësisht ditën se kur dhe komisionin se ku. Kësisoj, java e ardhshme pritet të sjellë edhe zgjidhjen për çështjen e fundit që mban peng kodin elektoral, pjesën për dekretimin e datës së zgjedhjeve parlamentare të vitit të ardhshëm. Si nga Partia Demokratike, ashtu edhe ajo Socialiste vjen konfirmimi, ndonëse jo zyrtarisht, se kjo çështje do të zgjidhet me një dispozitë kalimtare që do të votohet në komisionin e ligjeve, dhe që do të vlejë vetëm për procesin e ardhshëm elektoral. Përmes kësaj dispozite pritet të shmanget përplasja e kodit me Kushtetutën. Saktësimi i afateve në kodin e ri zgjedhor për caktimin e datës së zgjedhjeve të përgjithshme, ishte dhe pika e kritikuar nga Presidenti i Republikës, Bamir Topi. Arsyet konkrete ai i shpjegoi nëpërmjet një letër zyrtare që i drejtoi Kuvendit, më 3 dhjetor. Duke publikuar arsyet që e shtynë të marrë këtë vendim, konkretisht ai bëri vërejtje për nenin 9, pika 2 të ligjit. Në të, Presidentit i përcaktohet detyrimi për nxjerrjen e dekretit për caktimin e datës së zgjedhjeve për Kuvendin, jo më vonë se 9 muaj para mbarimit të mandatit të Kuvendit, pra një afat i cili nuk mund të respektohet për periudhën zgjedhore të përcaktuar në Kushtetutë, 15 mars–30 qershor.

(d.b/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›