E Diel, 1 Nëntor 2026

Mjeku i SHIK-ut: Ishte i dobët, në gjendje të mjerueshme

Gjyqi për zhdukjen e biznesmenit shqiptaro-maqedonas, Remzi Hoxha, dje ka risjellë fakte të reja për rolin e Shërbimit Informativ Kombëtar në këtë çështje. Prokuroria e Krimeve të Rënda paraqiti në seancën e radhës në Gjykatën e Krimeve të Rënda, dëshminë e ish-mjekut të Shërbimit Informativ Shtetëror, Ylli Xhaxhika, dëshmitar në dosjen e rrëmbimit me pasojë zhdukjen e biznesmenit Remzi Hoxha, që në tetor të vitit 1995. Sipas prokurorisë, dëshmitari Xhaxhika, ka qenë mjek i shërbimit sekret shqiptar, në periudhën 1992-1998 dhe në vitin 1995 ai ka vizituar një të ndaluar nga SHIK-u, i cili sipas tij ndodhej në gjendje të rëndë shëndetësore. Dëshmia e ish-mjekut të SHIK-ut u lexua në seancë nga prokurori i çështjes, Xhevat Hana, për shkak se dëshmitari ka vdekur disa javë më parë dhe për këtë shkak, paraqitja e dëshmisë nga vetë ai ka qenë e pamundur. Mjeku ishte marrë në pyetje gjatë hetimeve paraprake, në vitin 2003. Ai ka deklaruar para prokurorëve atëherë, se e kishte vizituar personin që dyshohet se ka qenë Remzi Hoxha, por nuk e kishte pyetur për emrin, në zbatim të rregullave sekrete të punës së shërbimit. Mjeku ka thënë gjithashtu gjatë dëshmisë së tij, se personi ishte në gjendje të mjerueshme, i dobët dhe në kushte jo higjienike në kohën kur ai e vizitoi. Prokuroria dyshon se Remzi Hoxha, biznesmeni i ndaluar më 21 tetor 1995 nga punonjës të SHIK-ut u dërgua në bazën sekrete të Shërbimit në Vain të Lezhës, ku u mor në pyetje duke u keqtrajtuar fizikisht. Pas kësaj ai përfundoi në gjendje të rëndë shëndetësore dhe sipas prokurorisë, vetë SHIK-u për ta shpëtuar nga vdekja e paraqiti te mjeku i institucionit, i cili ka dëshmuar se i ka dhënë personit në fjalë ilaçe qetësuese për të përmirësuar gjendjen e tij. Dëshmia e mjekut u paraqit nga prokuroria në procesin që po zhvillohet kundër katër ish-agjentëve të SHIK-ut, Arben Sefgjini, Ilir Kumbaro, Avni Koldashi dhe Budjon Meçe në Gjykatën e Krimeve të Rënda. Ata akuzohen për rrëmbimin e Ziso Kristopullit dhe Avdyl Loshajt dhe rrëmbimin me pasojë zhdukjen e Remzi Hoxhës në muajin tetor të vitit 1995.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›