E Shtunë, 31 Tetor 2026

Basha prefektëve: Pastroni plazhet, kufi motorëve të ujit

02/07/2010 Sezoni turistik mbledh në takim ministrin e Brendshëm dhe prefektët e zonave bregdetare

TIRANË- Afrimi i shpejtë i sezonit turistik nuk do të kalojë edhe aq lehtë për sa i përket garancive që duhet t’u ofrohen pushuesve nga ana e pushtetit vendor dhe policisë. Këtë e qartësoi dje vetë ministri i Brendshëm, Lulzim Basha, kur urdhëroi prefektët e qarqeve të ngrenë shtabet e punës për çështjet e sigurisë dhe mbarëvajtjen e sezonit turistik dhe të paraqesin planin konkret të masave brenda datës 5 korrik 2010. Mes të tjerave Basha u shpreh se “Detyra kryesore e shtabit të punës është të sigurojë një koordinim, një bashkërendim të institucioneve vendore dhe përfaqësuesve të institucioneve qendrore, me qëllim sigurimin e një ambienti sa më të sigurt, sa më të qetë dhe sa më të mirë për pushuesit gjatë sezonit të verës”. Gjithashtu ministri Basha nënvizoi si detyra kryesore sigurinë gjatë sezonit turistik, lehtësimin e kalimit në kufi dhe lëvizjes së pushuesve përgjatë gjithë itinerarit të rrugëve të Shqipërisë, shënimin dhe kufizimin e hapësirave për përdorimin e motorëve të ujit, bashkëpunimin me Inspektoratin e Mjedisit për problematikën e zhurmave në zonat turistike dhe vendosjen e grupeve të dhënies së ndihmës së shpejtë kundër rrezikut të mbytjes. “Shqipëria vitin e kaluar pati një bum rritjeje në numrin e turistëve dhe nuk shënoi asnjë incident domethënës për sa i përket turistëve, pra mbetet jo vetëm në raport me rajonin, por në raport edhe me vendet e tjera të BE një vend shumë i sigurt për të kaluar pushimet, madje po t’i referohemi statistikave më i sigurt se disa vende të tjera ku pushuesit mund të drejtohen ose mund të jenë drejtuar tradicionalisht. Detyrat e pushtetit lokal si pastrimet e plazheve nga mbeturinat, sigurimi i ujit të pijshëm, sigurimi i shërbimit shëndetësor 24 orë, sigurimi i shesheve për parkimin e automjeteve, duhet të jenë të monitoruara hap pas hapi nga shtabi i punës”,-tha Basha. Ai u kërkoi prefektëve të qarqeve që nga data 5 korrik e deri në datën 15 shtator, çdo të premte të raportojnë mbi aktivitetin, problematikat e trajtuara, vështirësitë, nevojat, në mënyrë që edhe nga ana e Ministrisë së Brendshme dhe ministrive të tjera të bashkërendohet një mbështetje sa më e fuqishme e përpjekjeve të tyre në terren. Në takim u fol edhe për përballimin e situatës së përmbytjeve në fillim të këtij viti.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›