Basha premton liberalizim të vizave prillin e ardhshëm
Ministri i Punëve të Jashtme, Luzim Basha, theksoi dje në takimin e organizuar me banorë të komunës Shezë të Peqinit, se brenda prillit të ardhshëm shqiptarët do të lëvizin pa viza në BE. “Në katër vitet e ardhshme ne do të bëjmë një progres galopant drejt ëndrrës tjetër të shqiptarëve, anëtarësimit në Bashkimin Europian”, - është shprehur Basha në këtë takim paraelektoral me banorë të kësaj komune. Në cilësinë edhe të kryetarit të shtabit të fushatës elektorale të Partisë Demokratike në qarkun e Elbasanit, ai garantoi se “brenda prillit të vitit që vjen maxhoranca e rivotuar nga qytetarët shqiptarë, do të bëjë të mundur që çdo qytetar shqiptar që posedon pasaportën biometrike të Republikës së Shqipërisë, pa asnjë vizë në të, të lëvizë në çdo vend të hapësirës Shengen si një qytetar i lirë”. Duke cilësuar si shumë të rëndësishme pajisjen me letërnjoftimet elektronike, ministri Basha dënoi ashpër qëndrimet bojkotuese dhe bllokuese të Edi Ramës ndaj këtij procesi. Basha u shpreh se kreu socialist, për qëllime të ngushta politike, po përbalt procesin jetik të pajisjes së qytetarëve me karta identiteti dhe pasaporta biometrike, vendimtare për përmbylljen e lëvizjes së qytetarëve pa viza në Europën e Bashkuar. Sipas Bashës, thirrjet e Ramës kundër këtij procesi bëhen për të tërhequr vëmendjen nga skandali i korrupsionit të KKRT-së së Tiranës ku, nga 30 leje, 19 prej tyre ia dha bashkëpunëtorit të tij të ngushtë.
Topalli vazhdon turin, takon gratë e Gramshit
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, zhvilloi dje një takim me gra e të reja të qytetit të Gramshit. Për herë të dytë brenda një periudhe të shkurtër në këtë zonë, kryetarja e Kuvendit shprehu kënaqësinë që vuri re se Gramshi pëson gjithnjë e më tepër ndryshime të konsiderueshme në zhvillimin e infrastrukturës, rikonstruksionit të shkollave dhe shërbimeve të tjera publike. Kryetarja e Kuvendit falënderoi gratë dhe të rejat e Gramshit për besimin dhe mbështetjen që ato, me kontributin e tyre në fusha të ndryshme të jetës, si nëna e bashkëshorte të suksesshme, po u japin reformave për ndryshimin e Shqipërisë. Kryetarja e Kuvendit, duke ftuar gratë të jenë pjesëmarrëse aktive në votime, tha se ato mbeten besnike të zhvillimit, aleate të ndryshimit për një jetë më të mirë dhe një të ardhme më të sigurt të fëmijëve. Në takimin e përzemërt me gratë dhe të rejat gramshiote, kryetarja e Kuvendit dha sërish mesazhin për të gjitha gratë e Shqipërisë, që të shkojnë për t’u pajisur me kartë identiteti, si një standard shumë i rëndësishëm jo vetëm për zgjedhjet, por si një detyrë qytetare për një shtet anëtar të NATO-s.
20 Prill 2009